MENU
klinika

Përzgjedhja e deputetëve/ Zbulohet udhëzimi i PD-së

Katër fazat e procesit dhe kushtet që duhet të plotësojnë të zgjedhurit

25.06.2020 - 12:10

Pasi ka vendosur sot se perzgjedhja e kandidateve per deputetë do të bëhet nga anëtarësia, Partia Demokratike ka percaktuar edhe 4 fazat neper te cilat do te kaloje procesi, qe nga propozimi, tek konsultimet e deri te miratimi ne Keshillin kombetar te partise.

Jane percaktuar gjithashtu edhe afatet kohore brenda te cileve duhet te finalizohet secila faze, duke nisur qe nga dita e sotme, me idenfikimin e kandidaturave te mundshme.

Procesi ka te percaktuar daten 30 shtator, si afat te fundit ku kandidatet do te bejne konsultimet me anetaresine, nderkohe qe miratimi i tyre do te behet sipas afateve ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Me poshte mund te lexoni te plote fazat e procesit dhe kushtet qe duhet te plotesojne kandidatet:

Faza 1: Identifikimi i kandidaturave të mundshme

Identifikimi i kandidaturave të mundshme do të bëhet në dy mënyra:

Propozimi nga anëtarët e partisë në mbledhjet e Grupseksioneve, ku secili anëtar do të ketë të drejtën të propozojë vetëm një kandidat.

Vetëkandidimi, ku një person shpreh interes për të qenë kandidat i mundshëm. Vetëpropozimi duhet të shoqërohet me mbështetjen e të paktën 10 anëtarëve të Partisë.

Procesi në këtë fazë ndiqet nga Degët e Partisë dhe monitorohet e drejtohet nga Grupi Qendror i Koordinimit (zyrtar të Partisë që nuk kanë konflikt interesi me zonat që do të mbulojnë).

Faza 2: Seleksionimi i kandidaturave të mundshme

Seleksionimi i kandidatëve të dalë nga faza e parë do të bëhet nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, që do të përbëhet nga 5 anëtarë dhe 2 ndihmës. Anëtarët do të jenë ish-drejtues të lartë të partisë, personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj. Komisioni bën vlerësimin e secilit kandidat, nëse përmbush kriteret e parashikuara nga udhëzimi apo jo. Në përfundim të procesit hartohen dy lista:

Listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen procesit të konsultimit me anëtarët;
Listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi.

Faza 3: Konsultimi i kandidatëve me anëtarësinë e Partisë

Anëtarët e Partisë, sipas parimit “një anëtar, një votë”, bëjnë konfirmimin e kandidaturave të mundshme, sipas kësaj procedure: Listat e kandidatëve për konfirmim hartohen në nivel Dege, grup degësh apo Qarku, në varësi të numrit të kandidatëve apo numrit të anëtarëve në një Degë apo Qark. Në një ditë të shpallur paraprakisht për votim, cdo anëtar ka të drejtën që të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një ose më shumë kandidatë nga lista. Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen, përcaktohet në Fletën e Votimit dhe është jo më shumë se 20 % e numrit total të listës së kandidatëve, për secilën Degë apo Qark. Kandidati që ka më shumë se 20 % “votë kontestuese”, në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të Partisë në atë Degë apo Qark, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar dhe përfshihet në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi.

Faza 4: Përzgjedhja nga Kryesia e Partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar

Kandidatët e listës së Partisë përzgjidhen nga kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia në fazën e dytë, sipas këtij raporti: kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia do të përbëjnë jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve të Partisë në zgjedhje, ndërkohë që jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve do të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile; përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve; përfaqësues të diasporës; përfaqësues të sipërmarrjes; personalitete politike me kontribut të gjatë në parti; etj. Gjatë kësaj faze do të mbahet në konsideratë: (1) përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. (2) përfaqësimi i të rinjve të jetë jo më pak se 10 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. (3) përfaqësimi i shtresës së të përndjekurve politikë apo pronarëve.

PARASHKIMET MË TË RËNDËSISHME TË PROCESIT:

Procesi do të realizohet sipas afatave të paracaktuara dhe të shpallura publikisht.

Faza 1: Identifikimi i kandidaturave të mundshme 25 Qershor – 31 Korrik 2020
Faza 2: Seleksionimi i kandidaturave të mundshme 1 Gusht – 15 Shtator 2020
Faza 3: Konsultimi i kandidatëve me anëtarësinë 15 Shtator – 30 Shtator 2020.
Faza 4: Përzgjedhja

Sipas afateve ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor

Udhëzimi parashikon kriteret që duhet të përmbushin kandidatët, ku mund të veçohen kriteret që lidhen me profilin e spikatur shoqëror në Degë apo Qark, integritetin e lartë moral dhe përgatitjen e lartë profesionale; standardet e dekriminalizimit dhe dekomunistizimi. Seleksionimi i kandidatëve bëhet sipas një metodologjie të shpallur paraprakisht nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve. Secili kandidat plotëson një formulat që përmban të dhënat personale, profesionale dhe politike, duke përfshirë edhe integritetin dhe pastëritë e figurës.

Në proces do të marrin pjesë vetëm anëtarët që plotësojnë kriteret statutore dhe që figurojnë të regjistruar në Regjistrin Elektronik të Antarësisë. Për të shmangur konfliktin e interesit procesit të propozimit, seleksionimit dhe konsultimit nuk i nënshtrohen Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm, Nënkryetarët e Partisë, Kryetari i Këshillit Kombëtar dhe Kryeministrat gjatë qeverisjes së PD. Gjithashtu, nuk lejohet që pjesë e këtij procesi të jetë lidershipi lokal i partisë (Kryetar dhe Sekretar Dege).

Udhëzimi parashikon në detaje rregullat e procesit në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë, që të jenë të kuptueshme për cdo person që bëhet pjesë e procesit.

Kandidatët do të nënshkruajnë një Deklaratë personale, ku pranojnë se i kuptojnë rregullat dhe ku marrin përsipër përgjegjësitë sipas Kodit të Etikës që të mos përfshihen në praktika të ndaluara që dëmtojnë garën e lirë, të ndershme dhe të barabartë brenda Partisë. Shkelja e zotimeve të përfshira në këtë Deklaratë, passjell skualifikimin e menjëhershëm të kandidatit nga Lista e Kandidatëve që do të përfshihen në procesin e konfirmimit nga anëtarësia.

Grupi Qendror i Koordinimit përcaktohet në udhëzimin për procesin. Ndërkohë Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve dhe Komisioni Zgjedhor do të emërohen jo më vonë se data 25 Korrik 2020.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN