Së paku 20 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara mund të jenë infektuar me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA tha se numri i vërtetë i rasteve ka të ngjarë të jetë dhjetë herë më i lartë se shifra e raportuar.
“Llogaritja jonë më e mirë është se për çdo rast që është raportuar kanë qenë edhe dhjetë të infektuar të tjerë”, tha drejtori i kësaj qendre, Robert Redfield.
Ai tha se 5-8 për qind e popullsisë i është ekspozuar virusit dhe u bëri thirrje amerikanëve që të mbajnë distancën fizike, të vendosin maska dhe të lajnë duart.
Komentet vijnë pasi shteti i Teksasit ka anuluar rihapjen e ekonomisë, pasi numri i të infektuarve dhe i të shtruarve në spitale është rritur.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 2.4 milionë raste me koronavirus dhe mbi 122,000 viktima. Shtetet jugore dhe perëndimore kanë raportuar shifra rekorde të rasteve në ditët e fundit.
Parashikimet e Universitetit të Uashingtonit janë që numri i viktimave në SHBA të arrijë deri në 180,000 deri në tetor, ose në 146,000 nëse amerikanët mbajnë maska.
Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 9.5 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.8 milionë janë shëruar, ndërsa mbi 486,000 kanë vdekur. Rel