Ndonëse në krizë ekonomie dhe në masa shtrënguese, fondet vjetore për bashkësitë fetare nuk u prekën. Qeveria miratoi financimin për bashkësitë fetare për vitin 2020, pa bërë asnjë ndryshim nga shuma e parave të alokuara gjatë vitit 2019, ku i vetmi dallim ishte koha me dy muaj vonesë në krahasim me vitin e shkuar.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, përcaktohet se shuma totale e fondeve për vitin 2020 është njëqind e nëntë milionë lekë të ndara konkretisht në 31.8 milionë lekë për komunitetin mysliman, nga 25.7 milionë lekë përkatësisht për komunitetin ortodoks dhe katolik, si dhe 25.6 milionë lekë për komunitetin bektashi.
Vendimi përcakton se këto para do të shkojnë për financimin e gjysmës së pagës minimale për punonjësit e administratës së komuniteteve fetare dhe për punonjësit e institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
Komuniteti Bektashi bën përjashtim pasi nga fondi vjetor, 7 milionë lekë do të shkojnë për veprimtarinë si Kryegjyshatë Botërore.