OBSH ka ngritur alarmin për rritjen e rasteve me COVID-19 në Europë, duke theksuar se rishfaqja e virusit në disa vende rrezikon të shtojë problemet për sistemin shëndetësor.
“Teksa po mësohet të bashkëjetohet me masat e reja , për javë të tëra unë kam folur për rrezikun e rishfaqjes së virusit. Në disa vende europiane, ky rrezik është bërë realitet. 30 vende në dy javët e fundit kanë regjistruar rritje të të infektuarve”, u shpreh drejtori rajonal i OBSH për Europën.
Në listën e këtyre vendeve janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Moldavia, Suedia, Ukraina etj.
Sipas OBSH më shumë se nëntë milion njerëz janë konfirmuar globalisht të infektuar me COVID-19 ndërsa mbi 479.000 kanë humbur jetë
Në vendin tonë, numri total i të prekurve me koronavirus ka arritur në 2 330 persona. Sipas të dhënave zyrtare, një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë. Aktualisht janë 931 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Spitali Infektiv po mbërrin këto ditë maksimumin e shtrimeve, si asnjë herë më parë. Aty po mjekohen aktualisht 81 pacientë, 7 më shumë se 2 në prill, kur ishte maksimumi i valës së epidemisë. 12 pacientë mësohet se janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.
Sipas autoriteteve shëndetësore, kjo është java e 16 të epidemisë, por 3 javët e fundit janë shtuar shumë dhe me shpejtësi edhe vdekjet edhe infektimet e reja.
Në 17 ditët e fundit kanë ndodhur 17 vdekje prej COVID-19, ose 1/3 e 51 vdekjeve gjithsej qysh nga 11 marsi, kur u regjistrua vdekja e parë e një zonje në Durrës e sapokthyer nga Italia.