MENU
klinika

Rikthim i izolimit në Kosovë?

Hoti: Mund të përballemi me vendime të vështira

28.06.2020 - 14:43

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të dielën tha përmes një postimi në Facebook se rritja e numrit të rasteve me koronavirus në Kosovë po rrezikon kapacitetet e Klinikës Infektive.

Hoti tha se kjo situatë dhe mosrespektimi i masave mbrojtëse mund të çojë në kthimin e izolimit total.

“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, tha ai.

Po ashtu, Hoti tha se mospërmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme.

Deri të shtunën, në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 2,590, ndërsa kanë vdekur 48 pacientë. Raste aktive janë 1,148, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve, tani ka arritur në 1,394.