MENU
klinika

Roland Qafoku/ Vera e re në fuçinë e vjetër

E vetmja zgjidhje, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

29.06.2020 - 08:25

Serbia ka kryer katër luftëra që sollën shpërbërjen e Jugosllavisë, por ende nuk ka kërkuar falje. Serbia e ktheu në arenë përleshjesh të armatosura Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, duke zhvilluar luftime të ashpra që nga 31 marsi i vitit 1991 deri më 11 qershor 1999, por nuk e quan veten fajtore dhe ende nuk ka kërkuar falje. Serbia e mbajti në luftë, tension dhe ankth të gjithë Ballkanin dhe Evropën për 8 vjet, 2 muaj e 11 ditë, por ende nuk ka kërkuar falje. Serbia në këto katër luftëra shkaktoi 160 mijë të vrarë dhe 4 milionë të zhvendosur, por ende nuk ka kërkuar falje.

Serbia e detyroi NATO-n që, pas 50 vitesh nga themelimi, të kryejë të parën dhe të vetmen luftë të forcave të këtij traktati, por tashmë jo vetëm deklaron me krenari se kurrë nuk do të bëhej pjesë e saj, por e cilëson autore të një agresioni dhe për këtë logjikë që vijon ende sigurisht nuk ka kërkur falje. Serbia ka kryer në Kosovë gjenocidin më të madh të shekullit të 20-të, pas atij gjerman ndaj hebrenjve, por ende nuk ka kërkuar falje. Serbia ka ende në kërkim kriminelë të luftës dhe nuk ka kryer vetë asnjë proces gjyqësor ndaj atyre që i kanë kryer këto krime lufte, por ende nuk ka kërkuar falje.

Serbia vazhdon të ketë një politikë antiperëndimore dhe herë pas here flirton me Rusinë, deri duke shkruar në faqen zyrtare se e ka aleat strategjik e, megjithatë, BE-ja e favorizon duke e afruar të bëhet anëtare e këtij unioni, madje me arsyetimin se më mirë ta marrim ne, sesa Rusia. BE-ja vijon ta vlerësojë Serbinë më shumë se Shqipërinë, deri me investime në projekte infrastrukturore, me arsyetimin se ka bërë reforma më të thella dhe më të mira se Shqipëria, e cila nuk ka bërë as luftë dhe nuk ka persona të kërkuar për krime lufte. Serbia vazhdon të jetë e favorizuar në raport me BE-në për lëvizje dhe lehtësira të tjera, ndërsa Kosova është i vetmi shtet në Evropë të cilit nuk i lejohet lëvizja e lirë, duke u bërë kështu i vetmi popull i burgosur në tokën e vet.

Të katër shtetet që fituan lirinë dhe pavarësinë si Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova luftuan me armë kundër Serbisë dhe krijuan shtete të pavarura, por vetëm në Kosovë Bashkimi Evropian vendosi të ngrejë një Gjykatë Speciale për krime lufte dhe të akuzojë një duzinë politikanësh në detyrë për vrasje masive. Vrasje ndaj kujt? Ndaj një agresori si Serbia që kreu një gjenocid të pashoq, duke shkaktuar 15 mijë të vrarë, 5 mijë të zhdukur dhe 1 milion të dëbuar nga shtëpitë e tyre? Nuk ka paradoks më të madh, më absurd dhe më irritues se ky. Nuk ka skandal më të madh gjithashtu për Evropën e parimeve dhe të të drejtave që të bëjë pis luftën e drejtë për çlirim të UÇK-së, duke kërkuar dhe dërguar në Hagë ish-drejtues të saj që “rastësisht” janë presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, apo ministra të qeverisë së Kosovës. Kësaj mënyre djallëzore të disa qarqeve antishqiptare, proserbe dhe proruse, i duhet thënë ndal.

Tani kemi një situatë dhe panoramë krejt tjetër gjeopolitike në të gjitha Ballkanin. Kemi jo vetëm një riformatim gjeopolitik, por edhe në aspektin e fuqisë dhe rëndësisë së shteteve. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave në Ballkan, në gadishullin tonë kemi 11 shtete nga të cilat 5 janë anëtare e BE dhe 7 anëtare të NATO-s. Këto 11 shtete kanë këtë popullsi: Serbia 7 milionë banorë, Kroacia 4 milionë banorë, Bosnjë-Hercegovina 3,3 milionë banorë, Maqedonia e Veriut 2,1 milionë banorë, Sllovenia 2 milionë banorë, Mali i Zi 600 mijë banorë, Greqia 11 milionë banorë, Rumania 20 milionë banorë, Bullgaria 7 milionë banorë, Shqipëria 3 milionë banorë dhe Kosova 2 milionë banorë.

Shqipëria nuk është më shteti i dobët që nuk e pyet kush. Jemi anëtarë të NATO-s dhe kandidat për në BE. Por, mbi të gjitha, jemi një shtet që kemi rëndësisnë tonë në Ballkan dhe Evropë, si një shtet aspak problematik me fqinjët, si një shtet që ka një peshë specifike në rajon. Nisur nga të gjitha këto, por edhe nga pasojat që mund të sjellin lëvizje të tilla, si thirrja në Hagë e politikanëve sa herë që Serbia i bën karshillëk Evropës dhe SHBA-së, apo edhe ide të çartura për shkëmbime territoresh, për shqiptarët mbetet vetëm një opsion. E vetmja zgjidhje e kësaj situate e kombit shqiptar nuk është butësia, brishtësia dhe meraku idiot se mos mërzitet ndokush atje në Bashkimin Evropian.

E vetmja zgjidhje është dhe mbetet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Një bashkim etnik, natyral që do të zgjidhte një herë e përgjithmonë padrejtësinë më të madhe që na ka bërë Evropa në 1913 duke e copëtuar këtë vend si të ishin llokma të një lope të therur. Shqipëria etnike nuk është më si 100 vjet më parë, kur cilësohej si tokë e askujt dhe prej saj Evropa mund të dhuronte toka për shtete të tjera. Shqipëria etnike nuk mund të bëhet më tokë në të cilën shtete të ndryshme mund të bëjnë ç’të duan, të eksperimentojnë, të krijojnë enklava e të zgjidhin problemet e tyre me Rusinë, duke përdorur Kosovën.

Jo. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ishte përveç se kthim i një padrejtësie, rritja e fuqisë kombëtare shqiptare në një shkallë që të tjerët nuk mund të luajnë më. Ky do ishte në të njëjtën kohë rezultati më i kompletuar i mundshëm i çështjes kombëtare. Vetëm ky bashkim do të sillte gjithashtu një komb shqiptar solid, më të fortë, më unik për t’u bërë ballë të gjitha lojërave dhe përplasjeve të BE-së me këdo në Evropë.

Nuk jemi në vitin 1919, kur në Konferencën e Paqes në Paris cilësoheshim si të mjerët e vegjël, që kishim aq shumë armiq të fuqishëm dhe shumë pak miq. Jemi në vitin 2020, pra 101 vjet më pas dhe përveç fuqisë si një komb me dy shtete, me 5 milionë banorë, pas kemi shumë miq shumë të fuqishëm, mes tyre, madje më të fuqishmin, SHBA-në, qendrën e gravitetit dhe vendi rreth të cilit rrotullohet e gjithë bota. Bashkimi në një shtet të vetëm si procesi i ëndërruar duhet të nisë. Tani është koha.

Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!

Këlliçi: Institucioni i Policisë, më i keqtrajtuari!

Efektivi humb ndjenjat gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës