BE është në negociata me prodhuesin e Remdesivir – një prej vetëm dy ilaçeve të provuara për trajtimin e COVID-19 – pasi Shtetet e Bashkuara blenë gati të gjithë furnizimin ekzistues. Brukseli tha se “diskutime të shumta” ishin ndërmarrë me prodhuesin e ilacit, Gilead, i cili përfshinte edhe “kapacitetin prodhues”.
“Komisioni Europian aktualisht është në negociata me Gilead për të rezervuar dozat e Remdesivir për vendet anëtare të BE”, tha Stefan de Keersmaecker, një zëdhënës i KE. “Mbrojtja e shëndetit të të gjithë qytetarëve tanë mbetet një përparësi kryesore për Komisionin. “Vendimi ynë për të shpejtuar procesin për të dhënë autorizimin e marketingut për Remdesivir në ditët në vijim tregon angazhimin tonë për të siguruar që trajtimet efektive të provuara shkencërisht për COVID-19 janë në dispozicion të qytetarëve të BE.”
Ilaçi anti-viral i patentuar nga firma bioteknike Gilead me bazë në SHBA është i vetmi i aprovuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) për të trajtuar pacientët me koronavirusin e ri.
Njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) nënkupton se autoritetet shëndetësore europiane mund të mos jenë në gjendje të marrin dot furnizim deri në vjeshtë.
Autoritetet amerikane siguruan më shumë se 500,000 paketa trajtimi të ilaçeve deri në shtator, i cili “përfaqëson 100 % të prodhimit të parashikuar të Gileadit për korrik (94,200), 90 % të prodhimit në gusht (174.900), dhe 90 % të prodhimi në shtator (232.800) “, tha HHS në një deklaratë.
Remdesivir është zbuluar se zvogëlon kohën e shërimit për pacientët e shtruar në COVID-19 – ata me infeksione më të rënda – nga 15 në 11 ditë. Efekti nuk u vërejt te pacientët me sëmundje të butë ose të moderuar.(EN)