MENU
klinika

Ja një pjesëz domëthënëse nga kryevepra e Tolstoit!

Pse njerëzit i thonë njëri-tjetrit “Mos vdeksh kurrë!”

04.07.2020 - 15:10

Një mik po më fliste së fundmi për tri raste në jetën e tij që ishte torturuar nga frika e vdekjes.

Hera e parë kishte qenë në moshën 6-vjeçare, jetonin në familje të madhe, por rastet kur ai mbetej fillikat në kullën e madhe ishin të shumta.

Sa herë kjo ndodhte, ai mendonte mbi vdekjen. Ishte shumë shqetësuese ta mendoje, por nuk e evitonte dot, mendonte sikur nuk mund të ishte në gjendje të ecte apo të lëvizte dorën, të mos mundte të përqafonte prindërit, vellëzërit e motrat. Ai mendonte për mosmarrjen frymë, madje provonte ta mbante frymën qëllimisht duke imagjinuar se nuk do të ishte në gjendje të thithte asnjë frymëmarrje tjetër, e pastaj mendonte rreth të qenët nën tokë derisa insektet ta kthenin trupin e tij në asgjë.

Ky mik kishte një imagjinatë të pakufishme.

Më në fund, ai mendoi mbi vdekjen aq shumë saqë papritmas pushoi së paturi frikë prej saj, u bind më në fund se ajo do të ndodhte pavarësisht sa herë ai mendonte apo qante për këtë fakt.

Hera e dytë kur frika e vdekjes e mbërtheu mikun tim ishte rreth të dyzetave dhe po përjetonte një martesë të vështirë e që po mundohej ta mbante gjallë. I dilte gjumi në mesnatë i terrorizuar nga frika e vdekjes, gjyshja dhe një tjetër i afërm ishin larguar nga jeta pak kohë më parë dhe mendja i rrinte gjithë kohës aty, duke bluar nëse ata ishin në parajsë.

Kjo situatë terrori zgjati disa muaj dhe më fund vendosi ta përballonte dhe ta kapërcente frikën nga vdekja duke u përpjekur të mendonte sa më shumë të ishte e mundur mbi vdekjen e tij.

T’i drejtosh mendimet qëllimisht te vdekja, sigurisht, është krejt ndryshe nga të paturit frikë prej saj. Por sërish, nuk zgjati shumë, dhe përsëri, frika nga vdekja u largua, ekzaktësisht ashtu siç ndodhi kur ishte vetëm 6 vjeç.

Hera e tretë ishte kur shoku i ngushtë i ushtrisë së djalit të tij kishte rënë në luftë gjatë një sulmi të papritur. Ai po punonte 7 ditë në javë dhe prapëseprapë frika se mos diçka e keqe i ndodhte edhe djalit të tij i depërtonte në shpirt çdo sekondë. Kësaj here, për pothuajse një vit rresht, çdo javë zuri të merrte një laps dhe një letër të bardhë dhe nuk pikturonte, por thjesht krijonte forma abstrakte në mënyrë të tillë që e gjithë frika, mërzia dhe zemërimin të derdheshin në letër.

Sërish, pra, përpjekjet e qëllimshme me synimin që ta përballonte ndjesinë e frikës nga vdekja e lejuan të miqësohej me konceptin e pashmangshmërisë së vdekjes dhe veç kësaj, ai fitoi një mprehtësi dhe fokus në artin e të jetuarit.

Ajo çfarë ky njeri mësoi dhe ajo çfarë unë synoj me këtë artikull, është rëndësia e jashtëzakonshme e përballimit të frikës nga vdekja dhe përqafimi i saj pa asnjë rezervë si të vetmen mënyrë për t’u çliruar nga kthetrat e saj dhe t’i jetojmë jetët tona me më tepër vlerësim për çdo moment që na jepet.

Ndoshta nuk kemi përjetuar të njëjtat situata si të këtij miku, por me siguri edhe ti ke një pikëvështrim mbi vdekjen.

Mbase ti njeh dikë që së shpejti do të largohet nga kjo jetë.

Ndoshta ti vetë, që po lexon, po përballesh me një semundje që me shumë gjasë e di të jetë terminale, ose vdekja mund të të ketë kaluar shumë afër, por ke jetuar për ditën që vjen pas.

Të gjithë ne, në një mënyrë a një tjetër jemi takuar me vdekjen disi, por shumë pak prej nesh kanë menduar në mënyrë aktive për vdekjen e tyre. Mund të të shkojë ndërmend që kjo ide është ngjethëse, patologjike, e sëmurë. Por mos ki merak, nuk je vetëm, shumica prej nesh e shtyjnë jetën përpara duke shpenzuar energji marramëndese që ta evitojnë me çdo kusht të menduarit për vdekjen.

Kur nocioni i vdekjes na vjen afër, ne kemi në dispozicion një larmi të pashoqe mekanizmash që ta shmangim atë për të mos na shqetësuar shumë.

Novela e Leon Tolstoit “Vdekja e Ivan Iliçit” studion mekanizmat psikologjikë që ne përdorim me synim që të parandalojmë me çdo kusht çdolloj vetëdijësimi për vdekjen tonë personale.

Kur fjala për vdekjen e Ivan Iliçit mbërriti tek kolegët e tij, shoku i tij i ngushtë Piotër Ivanoviç për një moment lejoi që lajmi ta trondiste e t’i jepte mërzi, por menjëherë e treti vëmendjen tjetërkund.

Ja një pjesëz domëthënëse nga kryevepra e Tolstoit:

Mendimi për picirrën që paska parë me sytë e tij njeriu, të cilin e kishte njohur nga afër, në fillim nxënëx gazmor, pastaj koleg në të njëjtën punë, me gjithë pështirosjen që po e mbyste nga shtirja e kësaj gruaje, i kalli tmerrin. I doli përpara syve balli, hunda e dalë që dukej se do t’ia shtypte buzën e sipërme dhe ndjeu llahtar për veten e tij. “Tri ditë e tri netë vuajtje të padurueshme dhe mandej vdekja. Ja, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me mua, tani, në këtë minutë,” – mendoi dhe i ngriu gjaku në deje. Por, aty për aty, pa e kuptuar as vetë sesi, i erdhi në ndihmë mendimi i zakonshëm, që kjo i kishte ndodhur Ivan Iliçit e jo atij vetë, atij kjo nuk duhet që t’i ndodhë, jo, nuk mund t’i ndodhë. Tek mendonte kësisoj, vetëm se po e lëshonte veten e kjo nuk duhet bërë. E pse të mos ndiqte shembullin e atij lozonjarit qyfyrexhi, Shvarci? Dhe, pasi e gjykoi kështu çështjen, Piotër Ivanoviçi sikur u qetësua, sakaq u interesua të dinte me hollësi për orët e fundit të Ivan Iliçit, sikur ajo që i kishte ndodhur shokut, të ishte thjeshtë një aventurë, e cila kurrsesi nuk kishte të bënte me atë vetë.

Vepra e Tolstoit nxjerr mjeshtërisht në pah mënyrën se si mendjet tona funksionojnë, që të na vijnë në ndihmë të mos mendojmë gjatë për vdekjen. Këto dinamizma inteligjente psikologjike rrëfejnë mënyrën se si vetë shoqëria e trajton vdekjen, përqasja jonë primare është që ta mbajmë sa më gjatë larg, me sa të mundemi, ne përpiqemi ta maskojmë çdo lloj shenje të çdolloj procesi që mund të japë indicione vetë neve dhe të tjerëve që ne po i afrohemi fundit tonë të paevitueshëm.

Sa më shumë që kjo paevitueshmëri afrohet ne tentojmë ta mbajmë vdekjen nën vrojtim duke e përzgjatur jetën artificialisht me teknologjitë të avancuara mjekësore, shpesh duke edhe cilësinë e ulët të të jetuarit që kjo teknologji sjell. E, kur më në fund vdekja vjen, ne e përjetojmë atë më tepër si një dështim sesa si një stad normal i jetës.

Për ta bërë akoma më të huaj realitetin e vdekjes ne kemi edhe agjensitë funerale që merren me të gjitha aspektet e mundshme që kanë të bëjnë me trupin.

Pak nga pak po shuhet edhe tradita e hershme kur familjarët e vendosnin të vdekurin në shtëpinë e tyre, e ku vetë ata kujdeseshin për trupin e të dashurit të tyre dhe përballeshin me nocionin e vdekjes secili në mënyrën e tij individuale.

Zhvendosja e vdekjes nga mesi ynë ka dhënë një tjetër kontribut duke e ushqyer edhe më tepër frikën ndaj këtij realiteti, kështu, duke e mistifikuar vdekjen e duke na lënë të papërgatitur…

Çka është më e rënda… frika jonë e tmerrshme nga vdekja na ka marrë edhe një prej mësuesve më të mëdhenj të të jetuarit.

Vlerat e të menduarit për vdekjen

Në ndryshim nga qëndrim dominant i kulturës perëndimore, traditat e meditimit sugjerojnë se reflektimi mbi vdekjen jo vetëm që është çlirues, por edhe themelor në të jetuarit e një jetë të mirë.

“Prej të gjitha gjurmëve, ato të elefantit janë më supreme. Prej të gjitha meditimeve, ai mbi vdekjen është më supremi.” – Buddha

Budizmi kurrsesi nuk është e vetmja traditë që kurajon praktimin e sjelljes ndërmend të nocionit të vdekjes, meditimet mbi vdekjen kanë një histori të gjatë në urtësinë së kësaj bote.

Sokrati e përkufizonte filozofinë si stërvitja për të vdekur.

Dhe në kohë pak më të vona eseisti francez Montanje shkruante:

“Le të privojmë vdekjen prej çuditshmërisë së saj, ta bëjmë atë të shpeshtë, le të mësohemi me të, të mos kemi më asgjë më shumë në mendje sesa vdekjen…” Ne nuk e dimë se ku na pret vdekja, prandaj ta presim atë kudo. Të praktikosh vdekjen do të thotë të praktikosh lirinë… Një burrë që ka mësuar të vdesë, ka çmësuar se si të jetë një skllav.” – Montanje

Pohimi i Montanjes prek në zemër të rëndësisë së meditimit mbi vdekjen, reflektimi për vdekjen, veçanërisht të vdekjes sonë, për t’u familjarizuar aq shumë me të sa më frikësohemi më prej saj, ashtu siç miku im e kuptoi, ne mund të jetojmë më të lirë, që ta heqim këtë terror nga jeta jonë dhe të na ndihmojë të na sjellë drejtpeshimin e nevojshëm që na lejon ta shohim botën më qartë dhe ta pranojmë krejtësisht faktin e përkohshmërisë sonë në këtë jetë.

Teodor Keko, poeti i madh shqiptar, më mirë se kushdo tjetër dhe me një mjeshtëri të pashoqe e shpalos këtë gjendje kthjelltësie të njeriut përmes poezisë madhështore të tij:

Kur e di se do të vdesësh

Pemët kanë më shumë lule dhe me

Shumë yje qielli ka

Më të mirë dhe më të çuditshëm

Janë njerëzit

Që nuk e kuptojnë se hija e trupit të

Tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh

Toka është pjellore, si grua,

Dhe qielli ta shuan përjetësisht

Etjen me shirat e tij

Dhe avionët nuk fluturojnë për t’u

Rrëzuar,

Dhe njerëzit nuk lindin për t’u

Bërë nesër të liq.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të

Kundërmojnë me trishtim

Dhe njerëzit do të kthehen më shpesh te

Distributori i harruar

Të furnizohen falas me besim….

Duke e pranuar plotësisht pashmangshmërinë e vdekjes me një mendje të qetë bëhemi më të kthjellët për gjërat që vërtet janë rëndësishme në këtë jetë.