Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “do të kërkojë që Bashkimi Evropian të luajë një rol më të rëndësishëm politik” në dialogun Prishtinë-Beograd.
Të enjten, presidenti serb do të takojë në Paris, homologun e tij francez, Emmanuel Macron.
Gjatë një konference për media në Beograd, Vuçiç tha se vendin e pret një “verë dhe vjeshtë e vështirë” në lidhje me Kosovën.
“Askush nuk dëshiron të na japë asgjë, ata do të na bëjnë presion për të humbur. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për unitet”, tha Vuçiç.
Të martën me presidentin Macron është takuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
“Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Më 10 korrik, pritet të mbahet një samit virtual mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimit e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. Ky samit, ku merr pjesë edhe Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, thuhet se ka për qëllim lehtësimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ky takim ndërmjet Hotit dhe Vuçiçit do të shënojë rinisjen e dialogut, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.
Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut./rel