Përgatitja e terrenit për t’u rikthyer në tryezën e negociatave në funksion të arritjes së një marrëveshjeje, ka nisur nga Parisi. Kryeministri i Kosoves, Hoti dje u prit nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në Pallatin “Elize”.
Pas përfundimit të takimit, Hoti ka publikuar pamje nga pritja shtetërore dhe një komunikatë sipas së cilës, temë diskutimi kanë qenë marrëdhëniet bilaterale, dialogu me Serbinë dhe perspektiva evropiane e Kosovës.
“Kryeministri Hoti e siguroi Presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
“Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.
“Arritëm dy marrëveshje të rëndësishme me Francën, atë të shkëmbimit të të dhënave në mes të dy ministrive të brendshme dhe mundësinë e punësimit të familjarëve të diplomatëve të Francës dhe Kosovës. U zotuam që të punohet në promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes të Francës”, ka shkruar Hoti në Twitter.
Pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti, presidenti francez do të ketë takim edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, partia e të cilit shënoi fitore bindëse në zgjedhjet e Serbisë para dy jave, ka thënë se askush nuk do ta përkëdhelë Serbinë në këtë proces.