MENU
klinika

AMF-ja publikon raportin

Shifra që paguan kompanitë e sigurimit për dëmet

09.07.2020 - 10:40

Kompanitë e sigurimit paguan vitin e shkuar 6,38 miliardë lekë (rreth 52 milionë euro) dëme bruto që ishte 8,6 për qind më pak se në vitin 2018. Shifra është bërë e ditur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili shpjegon se këtë rënie në raportin vjetor, të dorëzuar në Kuvend, me dy argumente.

Së pari, në 2018 është paguar një dëm i konsiderueshëm në portofolin e zjarrit dhe, së dyti, dëmeve të paguara nga Fondi i Kompensimit që ishin të akumuluara ndër vite. “Raporti dëme/prime neto në sigurimin (Jetë dhe jo-Jetë) arriti në masën 37,1%, ndërsa raporti agregat i dëmeve të tregut (Jetë, jo-Jetë dhe Dëme Fond Kompensimi) arriti nivelin 41,4%.

Sipas ecurisë së pagesave të dëmeve bruto në vite, rezulton se ulja e dëmeve vjen për shkak të një dëmi të paguar në portofolin e zjarrit në vitin 2018, rreth 1,1 miliardë lekë, si dhe i dëmeve të paguara për Fondin e Kompensimit, të akumuluara në vite, të paguara më së shumti në vitin 2018”, thuhet në raport. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bashkë me kompanitë e sigurimit u vendosën nën angazhimin për të shlyer një borxh të akumuluar ndër vite që kishte arritur në nivelin e 1,3 miliardë lekëve dhe që u kërkua me ngulm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që të shlyhej në një periudhë 3-vjeçare. Kjo nuk u arrit që të bëhej brenda afatit 3-vjeçar, duke u shtyrë edhe me një vit tjetër. Për sa i takon vitit 2019, shifrat e AMF-së tregojnë se pagesat për dëmet e Fondit të Kompensimit janë në vlerën rreth 604 milionë lekëve.

AMF-ja ka bërë një përmbledhje të situatës së tërmeteve dhe përgjigjes së kompanive të sigurimit ndaj këtyre fatkeqësive, duke nënvizuar se vlerësimet paraprake tregojnë se vlera e kërkesave për dëmshpërblim deri në 31.12.2019, arriti rreth 487 milionë lekë, për ngjarjen e 21 shtatorit dhe 3,8 miliardë lekë për ngjarjen e 26 nëntorit.

“Tregu i sigurimeve e përballoi faturën financiare të dëmeve të ndodhura nga dy ngjarjet e tërmetit, duke e ndarë edhe me shoqëritë e risigurimit. Bazuar në kontratat e risigurimit në fuqi për vitin 2019, për secilën ngjarje, vlera e dëmeve që pritet të paguhet nga tregu i sigurimeve arrin deri në 220 milionë lekë, ndërsa diferenca pritet të paguhet nga shoqëritë e risigurimit.” thuhet në raportin vjetor të 2019-s të AMF-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN