MENU
klinika

Shansi që po na vjen në derë!

Pandemia/ Punët që mund t’i marrim botës

12.07.2020 - 10:25

Pandemia e COVID-19 ndezi debatin e zinxhirit të furnizimit. Industri të tëra në ekonomi të fuqishme të vendeve të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kuptuan se kthimi i Kinës në “fabrikën” e tyre të furnizimit për sektorë të rëndësishëm si farmaceutika, manifaktura apo teknologjia e avancuar i la tërësisht të pafuqishëm gjatë mbylljes së kufijve.

Përfitimi nga krahu i madh i punës dhe ekonomia e shkallës që ofron Kina, kishte bërë që zinxhiri i furnizimit vetëm të përqendrohej, ndërsa presioni i pandemisë shtroi para dilemën e diversifikimit. Për vetë mjegullën që mbështjell të ardhmen, vendimmarrja mbi këtë pikë nuk pritet të jetë e beftë.

Teoria e diversifikimit pritet të materializohet në afatmesëm, por se në çfarë mase kjo do të mbetet në dorën e vendeve dhe biznesit pas bërjes së një bilanci mbi kostot dhe përfitimet. Por çfarë mund të paraqesë një situatë e tillë në nivelin global, për një vend të vogël si Shqipëria? Së pari leksione, së dyti mundësi.

Fasonët dhe tekstilet, pritet zhvendosje e pjesshme nga Azia drejt Ballkanit

Pas krizave, ndodhin ristrukturimet. Gjigantët e industrisë së veshjeve, ashtu siç pritej, deklaruan të parët lëvizjet në kushtet kur goditja e tyre ishte më e shpejta, pasi një sezon mbeti totalisht i pashitur, ndërsa një tjetër i paprodhuar. Zara njoftoi rishikimin e njësive të tregtimit kudo në botë, duke deklaruar se do të mbyllë 1200 dyqane ndërsa do të ketë një fokus të ri te shitjet online.

Një tjetër markë, grupi kanadez i këpucëve Aldo, njoftoi daljen nga disa tregje për shkak se nuk pati mundësi të mbijetojë në krizën e COVID-19, ndërkohë që aktivizoi mbrojtjen ndaj kreditorëve. Kompania ka njoftuar se do të ristrukturohet duke lënë aktive vetëm njësitë në tregjet më fitimprurëse. Kriza në kompanitë e mëdha të veshjeve pritet të ketë pasoja në zinxhirin e furnizimit.

Për Shqipërinë tendenca e ristrukturimit dhe më pas korrigjimi i pikave të dobëta paraqet mundësi. Vendet në zhvillim parashikohet të jenë edhe pritëset e zinxhirëve të rinj të furnizimit. Aktualisht industria e tekstileve, veshjeve dhe këpucëve është në një pjesë të madhe e përqendruar në vende të Azisë si Bangladeshi, Pakistani, Kamboxhia, Vietnami ndërsa në vazhdim, diversifikimi mund të përfshijë në listë Ballkanin Perëndimor, ku kjo industri nuk është aq masive.

Skënder Pashaj, nga kompania Fital, shprehet se situata është ende e paqartë dhe kompanitë duhet të bëjnë së pari ristrukturimet dhe llogaritë e tyre mbi efektet. Më pas, ato duhet të marrin vendime për zhvendosje të mundshme të prodhimit apo furnizimit.

“Deri në tetor, ne si industri, fasonët, nuk mund të bëjmë parashikime pasi kompanitë kanë nisur ristrukturimet. Shpresojmë për një lloj zhvendosjeje të kësaj natyre, nga Azia drejt vendeve të Ballkanit, por nuk kemi ende ndonjë të dhënë të sigurt për këtë tendencë. Panairi më i madh i veshjeve dhe këpucëve, që mbahet në Milano çdo fund janari ose shkurti, këtë vit është lënë më 11 dhjetor.

Prej vetë situatës, kontekstit të pandemisë dhe nxitimit për ta zhvilluar, mendoj se do të ketë njoftime interesante mbi drejtimin që do të marrë industria në përgjithësi, por edhe mundësitë për tregje si i yni në vazhdim. Mendoj se këto janë shenja për ndryshime. Azia dominon sepse ofron atë që ne nuk e ofrojmë dot, sasinë. Por tani që vihet re rënie e kërkesës, pra në konsumi, për shkak të pasigurisë së konsumatorit, edhe kompanitë do të kenë një prirje drejt uljes së prodhimit.

Kjo do të nxisë prodhimin e sasive të vogla më afër Europës. Pothuajse të gjithë kompanitë janë disi të shpërqendruara nga kjo situatë dhe po mbajnë peng prodhimin, pasi nuk e dinë si do të jetë ecuria e shitjeve. India, për shembull, nuk ka filluar ende prodhimin e këpucëve dimërore pasi sasitë e parashikuara janë shumë të ulëta” tregon Pashaj për ‘monitor’.

Lidhur me ecurinë e sektorit në vend, administratori i FITAL tregon se nuk ka një bilanc mbi situatën. Sipas tij duhet të ngrihet një grup pune që të bëjë një analizë të hollësishme mbi dëmin në sektor, në ekonomi dhe vetë shtetin, duke theksuar se ndikimi social do të jetë më i madh. Aktualisht kompanitë e mëdha të sektorit fason po ia dalin të rezistojnë edhe pse me rënie të prodhimit dhe humbje të kontratave në jo pak raste, kurse fabrikat më të vogla do ta kenë të vështirë, në mos të pamundur, të mbijetojnë.

“Për momentin, puna në kompani nuk është si më parë. Rënia është me 35%. Ajo që shoh si problem është shtatori dhe tetori, pasi askush nuk po bën kontrata për shkak të paqartësisë. Po presim të hapen kufijtë dhe të ketë një lloj qartësimi të pjesshëm. Partnerët tanë kanë porositur pak njësi pasi vlerësojnë se i gjithë problemi është tek konsumi. Njerëzit nuk po blejnë pasi kanë pasiguri dhe investojnë në gjërat më të nevojshme por jo në veshje. Qëndrimi jashtë dyqaneve për një palë këpucë në radhë kilometrike (flasim për dyqane jashtë Shqipërisë) është një tjetër arsye që i ka stepur konsumatorët.

Pritshmëritë

Shpresojmë për një lloj zhvendosjeje të kësaj natyre, nga Azia drejt vendeve të Ballkanit, por nuk kemi ende ndonjë të dhënë të sigurt për këtë tendencë. Prej vetë situatës, kontekstit të pandemisë dhe nxitimit për ta zhvilluar, mendoj se do të ketë njoftime interesante mbi drejtimin që do të marrë industria në përgjithësi, por edhe mundësitë për tregje si i yni në vazhdim

Prodhimet bujqësore dhe agropërpunimi më shumë konsolidim

Në kohën e izolimit, një ndër zinxhirët që duket se funksionoi më mirë ishte ai i ushqimeve. Luan Leka, administrator i disa kompanive, si EHW, CONAD Albania, vlerëson se zinxhiri i furnizimit në industrinë ushqimore varet nga mënyra sesi e menaxhojnë situatën të gjithë hallkat përbërëse të tij, duke garantuar sasi.

“Në kohën e izolimit, zinxhiri i ushqimit mund të themi se ka funksionuar më mirë se të gjithë të tjerët. Së pari, edhe për konsumatorin, shpenzimet ishin të përqendruara në këtë aspekt, nuk shpenzohej për luks. Ky zinxhir nuk ka nevojë për revolucion që të funksionojë, por për përgjigje korrekte të të gjitha palëve. Këtu hyjnë ndërmarrjet prodhuese në vend, importuesit, njësitë e tregtimit me shumicë e pakicë. Të gjithë i janë përgjigjur në kohë kërkesës” nënvizon Leka.

Një situatë si kjo e pandemisë në zinxhirin e furnizimit të ushqimeve dhe agropërpunimit mund të shërbejë për konsolidimin e sektorëve. Sipas Ilia Kristos, profesor i Marketingut dhe Biznesit Ndërkombëtar në Fakultetin e Ekonomisë, në këta muaj fokusi ka qenë te prodhimet bujqësore dhe agropërpunimi vendas, ndërsa në anën tjetër mund të nxitet zhvillimi i sektorëve mbështetës.

“Sa i takon zinxhirit të furnizimit, nëse veçojmë atë ushqimor, mund të themi se dinamika e produkteve ushqimore duket se po shkon drejt produkteve vendase. Janë produktet agro dhe të përpunuara. Tendenca redukton importet, ndërkohë ka një rritje të eksporteve drejt tregjeve. Kjo do të thotë që me këtë strukturë ekonomike të Shqipërisë, e cila është bujqësia, agropërpunimi, do të zhvillohen industri të tjera që nuk përplasen me to siç mund të jetë turizmi. Pandemia nxiti orientimin e zinxhirëve të furnizimit në këta sektorë drejt produkteve vendase” shprehet Kristo.

Shansi i bujqësisë dhe industrisë përpunuese

Prof Ilia Kristo: Sa i takon zinxhirit të furnizimit, nëse veçojmë atë ushqimor, mund të themi se dinamika e produkteve ushqimore duket se po shkon drejt produkteve vendase. Janë produktet agro dhe të përpunuara. Tendenca redukton importet, ndërkohë ka një rritje të eksporteve drejt tregjeve. Kjo do të thotë që me këtë strukturë ekonomike të Shqipërisë, e cila është bujqësia, agropërpunimi, do të zhvillohen industri të tjera që nuk përplasen me to siç mund të jetë turizmi. Pandemia nxiti orientimin e zinxhirëve të furnizimit në këta sektorë drejt produkteve vendase”

Diversifikimi? Mund të frenohet disi pas analizës së kostove

Ideja që lindi nga Gjermania për diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit mund të avancojë vetëm pasi të bëhet një analizë kostosh. Dhe, nëse flasim për vendet e Ballkanit e specifikisht për Shqipërinë, në sitë do të kalojnë disa aspekte, nga çmimi i energjisë tek taksat e fuqia punëtore.

Bledar Mankollari, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri (DIHA) shprehet se është diskutuar lëvizja jo vetëm e manifakturës së automatizuar për shkak të dinamikës. “Në disa procese pune, kur bëhet automatizim mbi 50%, futemi thellë në analizë që lidhen me kosto energjie dhe logjistike. Ne në rajon nuk kemi ndonjë çmim të ulët energjie që të përfitojmë nga tregjet të cilat mund të lindin për shkak të idesë së diversifikimit të furnitorit.

Këto janë disa ide që lakohen në momentin kur situata është keq siç ishte në kulmin e pandemisë dhe izolimit të vendeve. Por kur kalon në afatgjatë vlerëson kostot dhe bizneset priren gjithmonë te çmimi më i ulët. Këtë sigurisht që e ofron Kina. Që të krijosh një zinxhir të ri furnizimi, ka nevojë për investime të mëdha në vendet pritëse, infrastrukturë dhe ulje të kostove të energjisë, në mënyrë që biznesi të ketë një shans dhe të përfitojë nga politika e diversifikimit. Ky i fundit pastaj ka edhe një problem tjetër.

Ti e siguron në momente krize por e ul ekonominë e shkallës dhe nuk ke një çmim po aq të mirë sa më parë. Sa i takon fuqisë punëtore, kur vjen puna te manifaktura, ata trajnohen nga vetë kompanitë. Shteti nuk ofron ndonjë politikë të tillë, janë vetë bizneset që e bëjnë. Duhet të kemi parasysh që kompanitë vijnë në Shqipëri për të bërë procese të thjeshta, pa ndonjë kompleksitet e për rrjedhojë, as vlerë të madhe të shtuar” pohon Mankollari nga DIHA.

Investitorët mund të përballen me mungesë të krahut të punës

Rework Company sh.p.k e nisi punën e saj tre vjet më parë në Shqipëri duke u orientuar në prodhimin, instalimin, mbledhjen, çmontimin (shpërbërjen) dhe rigjenerimin e produkteve elektrike dhe elektronike, duke përfshirë ato në industrinë e kompjuterëve, telefonisë dhe pajisjeve video, si dhe asistencë teknike lidhur me to, edhe nëpërmjet trajnimit teknik për palët e treta.

Shtilian Peza, përfaqësues i kompanisë për Shqipërinë, tregon se puna është pak specifike e për rrjedhojë, do edhe njerëz disi të profilizuar, pasi përpunimi i qarqeve apo bashkimi i komponentëve në repartin me robotë elektronikë që ka filluar këtë vit, nuk hyn te proceset e thjeshta.

Pavarësisht shkollave profesionale në vend, ai pohon se ky aspekt i ka shërbyer shumë pak kompanisë për të gjetur profesionistë. Të gjithë ata që janë pjesë e stafit, janë trajnuar nga vetë kompania. Zgjerimi në këtë lloj procesi pune me vlerë më të lartë të shtuar sesa fasoneria e thjeshtë e veshjeve dhe këpucëve apo industrisë automotive mund të ketë përfitime të larta për ekonominë.

Nëse politika e diversifikimit të furnitorit që po debatohet gjerësisht në Europë e përfshin edhe këtë aspekt për Shqipërinë mund të jetë një plus i madh, por pikëpyetja është a e përballon dot më fuqi punëtore? A ka sot vendi ynë kapitalin e nevojshëm njerëzor për të tërhequr këtë lloj industrie? Përgjigjen e pyetjes mund ta marrësh nga ata që operojnë në treg.

Shtilian Peza tregon se do të jetë pak e vështirë. “Si pikë gjeografike ne jemi një vend i përshtatshëm, por nuk e di nëse mund të përballojmë një fluks të investimeve të kësaj kategorie. Emigracioni ka pasur një lloj efekti dhe ka më pak fuqi punëtore. Mendoj se problemi nuk qëndron te kualifikimi, pasi kjo mund të arrihet shpejt për ato procese pune që kërkohen, por fuqia punëtore në parim është vështirë të sigurohet”- thekson Peza.

Ai tregon se tani kompania po punon me 50 punëtorë nga 100 që kishte para pandemisë. Këtë numër e arriti gjatë rritjes trevjeçare të saj në tregun shqiptar. Shkurtimi i stafit erdhi pasi kompania mëmë pati rishikim të kontratave nga partnerët, për shkak të reduktimit të volumit të punës prej pandemisë, por në vazhdim situata mund të rikuperohet duke parë ecurinë e kërkesës.

Ballkani mund të përfitojë si “bllok” për IHD-të, po shkohet drejt profilizimit

Të marra veç e veç, vendet e Ballkanit nuk përfaqësojnë ndonjë fuqi të lartë punëtore, përjashto këtu Serbinë. Por të gjitha së bashku mund të ofrojnë një zonë interesante për investitorët që mund të duan ta shohin si hapësirë diversifikimi për furnitorët. Profesor Ilia Kristo nënvizon se marrëveshjet në fuqi mes vendeve janë një hallkë lehtësuese.

“Lidhur me sektorë të tjerë si ai automotiv apo ai i tekstileve, kanë filluar prej kohësh të orientohen drejt Ballkanit. Nëse dikur nxitje ishte krahu i lirë i punës, në kushtet e sotme po vlerësohet pozita gjeografike dhe fakti që Ballkani në vetvete është një rajon me miliona banorë që po investon drejt profilizimit dhe po vetëkthehet në një bllok ekonomik përmes integrimit. Janë në fuqi disa marrëveshje që e kthejnë Ballkanin si bllok dhe pandemia po e përforcon më shumë këtë filozofi për të përfituar” pohon Kristo.

Në lidhje me politikat dhe hapat që mund të hedhë Shqipëria për të tërhequr më shumë Investime të Huaja Direkte, profesor Kristo thotë se duhet të bëhen ndryshimet e nevojshme në strategji për t’ju përshtatur situatës.

“Mendoj se e gjitha kjo situatë duhet të kthehet në një strategji që ne e kemi në fakt, por duhet t’i bëhen ndryshimet përkatëse. Paralelisht duhet të bëhet edhe saktësimi i problemeve të vendeve në tranzicion ku korrupsioni është një ndër faktorët pengues. Ne jemi një vend me 30 vite tranzicion dhe të shkosh në një sistem të pastër duhet të bësh një amnisti. Ama duhet të jesh një vend që pasi e bën, të mos lejosh të nesërmen devijime të reja. Kur orientohen investimet e huaja, në përputhje me strategjinë ato futen në zinxhirin global të furnizimit.

Shqipëria, në vazhdim, nuk do të ketë si avantazh krahun e lirë të punës, por duhet të ketë përparësi profilizimin. Kjo kërkon një vëmendje me të madhe tek shkenca dhe universiteti që të jenë në nivel të orientuar me kërkesat” thekson Kristo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Guvernatori Sejko: Kriza më e thellë në 20 vjet

“Bankat të shtyjnë afatin e kredive”

BIRN: punonjësit vazhdojnë të transportohen në autobusë të tejmbushur

“Fasoneritë, epiqendra e paralajmëruar e epidemisë së COVID-19”