Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 73/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 20, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19’, të ndryshuar”.
Në arsyetimin e tij Meta vlerëson Kuvendi duke miratuar aktin normativ nr.20, datë 20.05.2020, të Këshillit të Ministrave që paraqitet si një akt që “lehtësonte” masat kufizuese për jo më shumë se 2 persona të pranishëm në një studio epidemie, në fakt përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë ose vendosjen e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, ndërkohë që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur me ligj, ka përfunduar vetëm 5 ditë pasi Kuvendi ka miratuar këtë akt.
Sipas argumenteve shoqëruese të dekretit, kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional.
Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cënon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetuës.
“Masat ndëshkuese joproporcionale, mund të çojnë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, në këtë periudhë pandemie kur, informacioni objektiv ka shumë rëndësi për përmbushjen e përgjegjësive qytetare.”- thuhet ne kthimin e dekretit.