MENU
klinika

"Kam fëmijët e mitur për të rritur"

Zani Caushi kërkon lirimin me kusht

13.07.2020 - 14:49

Kam fëmijë të mitur për të rritur, jam rehabilituar pasi ¾ e dënimit i kam shlyer në qeli. Më pranoni kërkesën time për t’u liruar me kusht parakohe“.

Është kjo kërkesë për liri që ka dorëzuar në gjykatë ish-kreu i bandës famëkeqe të Çoles, Myrteza Caushi e cila në vitin e mbrapsht 1997 drejtonte Vlorën. I njohur edhe si Zani Caushi apo Zani i Vlorës depozitoi kërkesën dhe më 17 korrik në gjykatën e Korçës do të zhvillohet seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese. Aktualisht Caushi qëndron në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës ndërsa ndaj tij rëndon dënimi me burg përjetë për vrasje, trazirat e 1997 dhe grup kriminal.

Ku e bazon kërkesën për lirim Zani Caushi?
Këtë kërkesë Zani Çaushi e ka shfrytëzuar duke përdorur nenin 64 dhe 65 të Kodit Penal të vjetër, i cili parashikon mundësinë për lirimin me kusht. Pra sipas Kodit të vjetër: “Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur ka vuajtur jo më pak se 25 vjet burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij”.

Kërkesa për lirimin me kusht të Zani Çaushit, po shqyrtohet nga gjyqtari Selaudin Pysqyli dhe pritet që seanca e radhës të zhvillohet në 17 korrik 2020.  Deri tani janë zhvilluar dy seanca, teksa në të radhës do të kërkohet dokumentacioni nga drejtoria e Burgut të Drenovës. Tashmë pritet që të llogaritet periudha e vuajtjes së dënimit.

Kush është Zani Caushi?
Zani Caushi do të mbahet mend edhe si kreu i bandës kriminale me të cilin ish kryeministri Italian asokohe Romano Prodi pati një takim për rivendosjen e rregullit në Shqipëri dhe krijimin e qeverisë së pajtimit. Myrteza Caushi ishte kreu i një prej bandave në qytetin e Vlorës, gjatë trazirave të vitit 1997.

Gjatë vitit 1997 Caushi ishte i dënuar në një burg të sigurisë së lartë në Greqi, nga ku u arratis. Caushi arriti të arratisej gjatë një revolte. Ai ishte i dënuar nga drejtësia e Greqisë me 101 vjet burg për vrasje. Gjatë periudhës së viteve 1997-1998 u deklarua kundërshtar i Sali Berishës dhe u bë krah i djathtë i Komitetit të Shpëtimit të Vlorës.

Ai dhe banda e tij akuzohen për krime të rënda në Vlorë. Në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, u formuan 5 banda. Tre prej tyre ishin rivale me atë të Zanit, Banda e Gaxhait, Banda e Kakamit  dhe Banda e Pusit të Mezinit. Gjatë përplasjes me bandat e armatosura Zani Caushi ka humbur tre vëllezërit. Kulmin e influencës së tij në popull, Zani e tregoi vetëm 15 ditë pas tragjedisë së “Otrantos”, kur kryeministri Italian, Romano Prodi zbarkoi në Vlorë.

Mëngjesin e 13 prillit 1997, tre helikopterë ushtarakë të marinës italiane zbritën në një zonë të pabanuar në Vlorë për të takuar kreun e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino. Nën mbrojtjen absolute të Zanit që mbante një kallashnikov në dorë, Prodi ndaloi disa minuta në Vlorë duke dhënë mesazhe paqeje dhe duke premtuar ndihma nga qeveria italiane për t’u nisur sërish me helikopter për në Tiranë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN