MENU
klinika

Kreu i Urgjencës: Është rritur shërueshmëria

“Kush ka shenja, duhet ta konsiderojë veten të prekur me Covid”

14.07.2020 - 08:00

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se, rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 gjatë muaj korrik vjen si rezultat i heqjes së masave kufizuese dhe “teprimit me mos respektimin e masave mbrojtëse”.

Brataj gjatë intervistës për Euronews Albania theksoi se, niveli i të prekurve mbetet në nivelin e 11-12%.

Ai thotë se, në ditë 100 deri në 120 persona rekomandohen për testimi nga Urgjenca Kombëtare. Drejtori i Urgjencës Kombëtare tha më tej se, ka ndryshuar dhe sjellja e virusit pasi tashmë nuk shkakton dëmtime ndaj dhe në shumë raste pavarësisht kryerjes së tamponit shumë persona të infektuar rezultojnë negativë.

“Nëse virusi nuk kryen dëmtime nuk shfaqen simptoma ndaj edhe po të kryesh testim nuk del pozitiv. Ndaj është shumë e kujdesshme bërja e tamponit pasi një person pozitiv mund të dalë negativ dhe pas kësaj lëviz i lirshëm me këtë argument. Nëse je asimpotomatik është e vështirë që virusi të dalë nga kryerja e tamponit”, tha Brataj.

Për këtë arsye, doktori kërkon që të frenohet paksa ankthi që shumë njerëz kanë nga mos kryerja e testit.

“Një person që ka shenja dhe simptoma duhet ta konsiderojë veten të prekur dhe duhet të ruajë distancën dhe të mos dalë. Mos bërja e tamponit nuk duhet të justifikoi lëvizjen. Konsideroje veten të infektuar nëse ke shenja dhe ke qenë në kontakt me persona të infektua. Pasi një person mund të ketë ngarkesë të vogël virale, sa që nuk e kap as tamponi”, shtoi ai.

Për Bratajn pavarësisht se numri i të prekurve me COVID-19 është rritur, shërueshmëria gjithashtu është rritur. Sa i takon viktimave, Brataj u shpreh se, shkalla mbetet në nivelin 2.66%.

“Nuk duhet të shikojmë numrin e vdekjeve sepse çdo ditë ka vdekje nga sëmundje të tjera. 2.66% është vdekshmëria sot. Duhet të bashkëjetojmë. Ka pasur viruse që kanë kaluar në 18 muaj dhe dy vjet. Nuk është se ky infeksion do të jetë pa fund. Nëse respektojë në 2-3 javë masat në mënyrë rigoroze, bie me 80% infeksioni”, tha kreu i Urgjencës Kombëtare.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare duke iu referuar studimeve më të fundit tha se, përdorimi i maskës parandalon me 70% infektimin me COVID-19.

Brataj bëri thirrje për ndërgjegjësimin e qytetarëve në respektimin e distancimit dhe mbajtjen e maskës dhe të mos marrin për bazë teoritë konspirative pasi janë shumë të dëmshme.