Publikohet historinë e panjohur të Ahmet Beqo Nivicës me origjinë nga Kurveleshi i cili pasi ishte diplomuar në Shkollën Tregtare të Vlorës, doli në mal duke u bashkuar me forcat partizane dhe më pas u largua nga Fronti, duke krijuar një çetë të rinisë së Ballit Kombëtar, të cilën e komandoi në disa luftime kundra italianëve dhe gjermanëve deri në nëntorin e vitit 1944. Largimi i Ahmetit nga Shqipëria me krerët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit duke u vendosur në kampet e Italisë, ku në vitin 1946 ndodhej në kampin e Santa-Farës, u takua me dy krerët kryesorë të Partisë Komuniste Italiane, Palmiro Toliati e Petro Bianki, të cilëve pasi i’u bëri një raport rreth krimeve të Enver Hoxhës, ata i sugjeruan që t’u shkruante Stalinit dhe ai i dërgoi një letër në katër faqe të daktilografuara.
“Në vitin 1946 kur ndodhesha në kampin e Santa-Farës, u takova me dy krerët e Partisë Komuniste Italiane, Palmiro Toliati e Petro Bianki, të cilëve u bëra një raport rreth krimeve të Enver Hoxhës. Pasi Toliati më dëgjoi me vëmëndje deri në fund dhe më tha: Ne si Parti Komuniste nuk mund të ndërhymë dot në punët e brendshme të një partie tjetër. Pas përgjigjies që morën nga ai, Sadik Premtja më tha që t’i drejtoheshim me një letër Stalinit dhe t’i bënim një relacion për të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe klikës së tij që ishin bërë që nga koha e luftës. Në fillim të relacionit prej katër faqesh të daktilografuara që ja bërë Stalinit në italisht, i shkruajta: ‘I lavdishmi shoku Stalin. Marrim guximin t’ju raportojmë mbi të ashtuquajturën Parti Komuniste shqiptare të uzurpuar nga Enver Hoxha, që nuk është gjë tjetër veçse një Parti anarshiste…”.
Kështu e kujtonte takimin me Toliatin, Ahmet Zylfo Nivica, me origjinë nga Nivica e Kurveleshit, ish-partizan dhe komandant i çetave nacionaliste të Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë viteve të Luftës në Jug të Shqipërisë, i cili rrëfen se si u arratis nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944 bashkë me eksponentët kryesorë të Ballit e Legalitetit dhe pasi qëndroi për 14 vjet në Itali e Francë, më 1958-ën u detyrua të kthehej në Shqipëri, ku u arrestua dhe përfundoi për 20 vjet burgjeve të regjimit komunist i akuzuar si “agjent i shërbimeve sekrete të huaja”.
Po kush është Ahmet Nivica dhe cila është e kaluara e tij? Si mundi Ahmeti që në 12 nëntorin e vitit 1943, t’i shpëtonte 200 ballistët që ishin në shtëpinë e Riza Runës në fshatin Nivicë, të cilët atë natë do të pushkatoheshin të gjithë nga partizanët e Shefqet Peçit? Përse pas kësaj ngjarje Ahmeti u largua nga rradhët e Frontit Nacionalçlirimtar dhe krijoi çetën e tij nacionaliste, duke e komanduar vetë atë në disa beteja kundër italianëve dhe gjermanëve deri në nëntorin e vitit 1944 kur u largua nga Shqipëria? Si qëndroi ai për katër vjet në kampet e Italisë bashkë me emigrantët e tjerë politikë dhe pse u lidh me Sadik Premten, komunistin e vjetër që bashkë me Anastas Lulon kishin drejtuar Grupin Komunist të të Rinjëve dhe që kishin marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Partinë Komuniste në nëntorin e 1941-it në Tiranë? Çfarë i kërkoi ai kreut të komunistëve italianë Palmiro Toliatit dhe përse pas atij takimi Ahmeti me Sadik Premten i dërguan një relacion Stalinit? Çfarë thuhej në atë relacion dhe cila ishte përgjigjia që u erdhi atyre nga Kremlini? Lidhur me këto mistere dhe ngjarje të tjera nga jeta e Ahmet Nivicës, njihemi nëpërmjet dëshmive të tija të cilat na i ka dhënë pak kohë para se të ndërronte jetë në shtëpinë e tij në Tiranë.
Kush ishte Ahmet Nivica?
Ahmeti u lind në 23 shkurt të vitit 1923 në fshatin Nivicë të Kurveleshit, prej nga është dhe origjina e familjes, ku babai i tij Zylfo Beqo i cili ishte shkolluar në “Zosimea” të Janinës, njihej si një nga pronarët më të mëdhenj të tokave në të gjithë atë krahinë. Përveç pasurisë që trashëgonte, ajo familje është e njohur që nga koha e Marko Boçarit, kur Beqo Boduri (gjyshi i babait të Ahmetit) në krye të forcave të Kurveleshit, luftoi kundër grekëve dhe pasi e kapi rob Katerinën, motrën e Katsandonis që njihet si heroi më i madh i Greqisë, e solli atë në Kurvelesh dhe u martua me të. Nga ajo martesë lindën tre fëmijë, ku njëri prej tyre, Ahmeti (gjyshi i Ahmet Nivicës nga i cili ai trashëgoi emrin) ndoqi rrugën e të jatit dhe luftoi kundër grekëve të cilët në vitin 1878, i ndoqi nga Lëkursi i Sarandës deri në afërsi të Athinës. Po kështu traditën e asaj familje e ndoqi dhe Zylfo Beqo Nivica (babai i Ahmetit) i cili në vitin 1920 mori pjesë në Luftën e Vlorës, ku dhe u plagos së bashku me Ismail Golemin, Selam Musanë dhe Abaz Shehun. Për luftrat e shumta që ka bërë dhe për qëndrimin patriotik që ka mbajtur familja Nivica, populli i asaj krahine e ka përjetësuar në disa këngë që i ka ngritur asaj. Ahmeti, ose siç njihet ndryshe dhe Ahmet Beqo Nivica, u shkollua në Shkollën Tregtare të Vlorës nga viti 1935 deri në 1940-ën, duke marrë dy klasë në një vit, ku dhe u njoh për herë të parë me idetë komuniste. Me mbarimin e Luftës italo-greke në vitin 1941, ai u arrestua si anti-italian dhe së bashku me vëllanë e Bilal Nivicës dhe Abedin Arifin, u mbajtën për dy muaj në Burgun e Vlorës. Pas daljes nga burgu, Ahmeti doli në malet e Kurveleshit për të luftuar kundra italianëve dhe lidhur me këtë, ai kujtonte: “Në atë kohë u bashkova me Mustafa Matohitin, me të cilin shkonim nëpër fshatra dhe bënim propagandë antifashiste. Në 1942-in gjatë një aksioni kundër italianëve që e bëmë në Ujin e Ftohtë në Tepelenë, të cilin e kryesonte Matohiti me Bedri Spahiun, unë u plagosa dhe italianët më kapën rob e më çuan në Burgun e Kalasë të Gjirokastrës, ku isha në një birucë me Shefqet Peçin. Ne rrezikoheshim dë dënoheshim me vdekje, por mundëm të liroheshim më 28 nëntor 1942, kur Duçja dha një amnisti për të gjithë shqiparët nën 18 vjeç që ndodheshin në burgje”, kujtonte Ahmeti atë kohë kur filloi veprimtarinë e tij si antifashist.
Si i shpëtoi 200 ballistët?
Edhe pas daljes nga burgu, Ahmeti doli përsëri në mal për të luftuar kundër italianëve dhe për këtë ai tregonte: “Pasi u lirova me amnistin e Duçes, dola në mal dhe herë pas here bashkpunoja me çetën e Delvinës që e komandonte Beqir Bënça me Mustafa Qilimin. Më pas jam inkuadruar edhe në Batalionin “Çamëria” që e komandonte Haki Rrushiti dhe kam luftuar me ta në disa beteja kundër italianëve dhe gjermanëve, deri në 12 nëntorin e 1943-it, kur u shkëputa nga rradhët e Frontit pas një incidenti që pata me Shefqet Peçin i cili në krye të Batalionit “Asim Zeneli” atë ditë kishte ardhur në fshatin tonë Nivicë. Atë ditë unë dola dhe e prita Shefqetin, e për darkë qëndruam tek shtëpia e Xhule Memishës, ku biseduam gjatë për Luftën. Të nesërmen dy fshatarë të mi, aktivistë të Luftës, më thanë se në shtëpinë e Riza Runës (ish-Prefekt i Gjirokastrës) kishin ardhur 200 ballistë dhe në ora 12 të natës, sipas urdhërit të Shefqet Peçit, ata do të goditeshin nga partizanët e tij për t’u asgjesuar. Unë u çudita për këtë lajm, se deri atëhere nuk kishte ndodhur që partizanët e ballistët të vriteshin me njeri tjetrin dhe për këtë shkova tek shtëpia e Riza Runës, ku gjeta dhe Zenel Gjolekën, Maliq Mezinin, Seit Shehun, Riza Canen e disa komandantë të tjerë nacionalistë, të cilëve u thashë se ishin të rrethuar, e do sulmoheshin nga partizanët e Shefqetit dhe u tregova rrugën nga mund të shpëtonin nga ai rrethim. Pasi ballistët u larguan nga rrethimi, të nesërmen Shefqet Peçi mblodhi popullin tek xhamia e Rexhinit dhe duke i kërcënuar, u kërkoi atyre se kush i kishte treguar ballistëve planin e tij. Unë duke mos dashur që të pushkatohej ndonjë fshatar i pafajshëm, i tregova të vërtetën Shefqetit, i cili duke e ditur autoritetin e familjes sime dhe duke më pasur shok burgu, më tha se duhet të shkoja me ta, pasi do më bënin një gjyq formal tek Lisat e Kadhe, ku do më falnin. Unë nuk shkova dhe që të nesërmen u largova nga rradhët e Frontit Nacionalçlirimtar”, kujtonte Ahmet Nivica, atë kohë kur i shpëtoi 200 ballistët nga pushkatimi prej Shefqet Peçit.
Arratisja nga Shqipëria në 1944
Pasi u largua nga rradhët e Frontit Nacionalçlirimtar, Ahmet Nivica formoi vetë një çetë nacionaliste për të cilën ai na tregonte: “Pas incidentit me Shefqet Peçin shokva në Delvinë dhe aty formova një çetë rinie nacionaliste, që përkraheshim nga Balli Kombëtar dhe si komandant i saj u zgjodha unë. Në krye të asaj çete kam luftuar së bashku me forcat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Ismail Golemi në Qafën e Muzinës kundër Divizionit të Parmës, në shënjë hakmarrje ndaj vrasjes që ata i bënë 36 nacionalistëve të udhëhequr nga Hysni Lepenica në Divizionin Italian të Grehotit. Pas kësaj beteje, unë mora në dorzim tre depo të italianëve dhe dy ja dhashë Ballit Kombëtar dhe një e mbajta për çetën time. Më pas kemi luftuar dhe në Palavli, Krame, etj., ku shpesh herë jemi gjendur edhe nën rrethimin e partizanëve që na godisnin vetë të parët. Në tetorin e vitit 1944, duke e parë situatën dhe për të shpëtuar nga goditja e partizanëve, së bashku me Selam Kërmën, Irfan Goskovën e Novruz Bellon, që komandonin 300 e ca forca nacionaliste, udhëtuam drejt Korçës dhe nga aty nëpërmjet Devollit dolëm në Follorinë, e nga Maqedonia dolëm në Prizren, ku na priti Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi. Ata pasi na uruan mirseardhjen, duke na thënë: Mirseardhët o trimat e Labërisë, na shtruan një drekë në hotelin “Pallas”, ku na shfaqën mendimin që ne të bashkoheshim me forcat kosovare dhe me çeta tona të luftonim kundër forcave komuniste në Shqipëri. Unë nuk pranova dhe ato ditë pasi luftuam në Kalanë e Prizrenit kundra forcave partizane që i komandonte Ramiz Alia e Adil Çarçani, aty nga data 20 nëntor u ktheva në Shkodër, ku shumë eksponentë të Ballit e Legalitetit si: Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Sali Myftia, Arif Peza, Kolonel Sabri Gilani, Baba Rexhepi, Ali Këlcyra, etj., kishin paguar me flori dy varka për t’i nxjerrë nga Tuzi në Itali. Ali Këlcyra më siguroi dhe mua një vend në ato varka, pasi më parë pagova tetë stërlina floriri angleze”, kujtonte Ahmet Nivica atë kohë kur u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar hakmarrjes së partizanëve që e kishin cilësuar si armik të tyre.
Relacioni dërguar Stalinit
Pas mbërritjes në Itali, Ahmet Nivica së bashku me emigranët e tjerë politikë antikomunistë u sistemuan nëpër kampet e Santa-Farës, Rexhio-Emilias, Santa-Maria di Lucas e Barletas që ishin hapur me ndihmën e anglo-amerikanëve, ku ata qëndruan deri në vitin 1948, kur u shpërndanë nëpër shtete të ndryshme si azilantë politik. Lidhur me këtë, Ahmeti kujtonte: “Aty nga viti 1946 kur ishim në Kampin e Barit, unë me Zike Dibrën dolëm fshehtas në qytet dhe u sollëm letra Hasan Dostit e Mit’hat Frashërit, të cilët dërguan një promemorje në Pallatin e Luksemburgut, duke mbrojtur Shqipërinë nga akuzat e grekëve që deklaruan aty se “Greqia në vitin 1940 ishte sulmuar nga Qeveria e Vërlacit”. Kur isha në kampin e Santa-Maria di Luca, u takova me shokun tim të vjetër, Sadik Premten i cili bashkë me 200 të tjerë erdhën aty nga kampet naziste. Gjatë asaj kohe, Sadiku mori kontakt me gjeneral Mastro Mauron, komunist dhe ish-Komandant i Përgjithshëm i Rezistencës për gjithë Jugun e Italisë, të cilit i bëri prezent gjithë krimet e Enver Hoxhës. Mauro na rekomandoi që të takoheshim me antarin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Italiane, Çufoli, i cili na priti në zyrat e partisë në Bari dhe na tha të takoheshim me Palmiro Toliatin dhe ai ta ngrinte atë problem në Komintern. Sadik Premtja së bashku me Qazim Çakërrin më rekomanduan mua që të takohesha me Toliatin, i cili më priti në Shtëpinë e Kuqe së bashku me Petro Biankin, Sekretarin e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Italiane. Pasi unë u bëra një raport për gjithë krimet e Enver Hoxhës, duke i përmendur vrasjet e Anastas Lulës, Llazar Fundos, Neki Ymerit etj., ata më dëgjuan me vëmëndje dhe Toliati më tha: ‘Ne si Parti Komuniste nuk mund të ndërhymë dot në punët e brendshmë të një partie të shtetit tjetër’. Pas përgjigjies së Toliatit, Sadik Premtaj na sugjeroi që t’i drejtoheshim Stalinit dhe të tre shkruam nga një relacion. Në fillim të letrës sime prej katër faqesh të daktilografuara, që ia bërë Stalinit në italisht, unë i shkruajta: ‘I lavdishmi shoku Stalin. Marrim guximin t’ju raportoj mbi të ashtuquajturën Parti Komuniste shqiptare të uzurpuar nga Enver Hoxha, që s’është gjë tjetër veçse një Parti anarshiste’. Më pas në atë letër unë i denoncoja të gjitha krimet që kishte bërë Enver Hoxha e klika e tij që nga koha e Luftës, duke i përmendur dhe bashkpunimin që komunistët shqiptarë kishin bërë me gjermanët në Berat dhe në mbyllje i kërkoja që të hiqej Enver Hoxha dhe të vendosej një Qeveri tjetër. Në fund të letrës nënshkrova: Ahmet Nivica, ish-komunist dhe partizan. Të tre letrat që bëmë unë Sadiku e Qazim Çakërri, ia dorzuam Ambasadës sovjetike në Romë dhe pas disa muajsh na erdhi përgjigjia nga Kremlini”, dëshmonte Ahmet Nivica, lidhur me letrat denoncuese që ata i dërguan Stalinit, duke denoncuar krimet e Enver Hoxhës gjatë periudhës së Luftës./Memorie.al