MENU
klinika

Nga Bill Gates te Kanye West

Hakerat vjedhin profilet në Twitter të miliarderëve

16.07.2020 - 14:29

Miliarderët Elon Musk, Jeff Bezos dhe Bill Gates janë në mesin e shumë figurave të njohura të SHBA-ve që janë vënë në shënjestër nga hakerat në Twitter.

Llogaritë zyrtare të tyre, së bashku me ato të ish-presidentit Barack Obama, Joe Biden dhe Kanye West u vodhën dhe në to u bënë disa postime të ngjashme në lidhje me sigurimin e monedhave dixhitale Bitcoin.

Twitter tha se ishte një sulm “i koordinuar” që synonte punonjësit e tij “me qasje në sistemet dhe mjetet e brendshme”.

“Ne e dimë se hakerat kanë përdorur këtë qasje për të marrë kontrollin e shumë llogarive në emër të tyre”, tha kompania në një seri postimesh.

Ajo shtoi se “hapa të rëndësishëm” u morën për të kufizuar qasjen në sisteme dhe mjete të tilla të brendshme, ndërsa hetimi i kompanisë po vijon.

Në rastin e miliarderit të Tesla-s, Elon Musk, në profilin e tij u shfaq një mesazh përmes të cilit kërkohej një shumë e madhe në monedhë dixhitale.

Mesazhi u hoq, por pak më vonë u shfaq një tjetër dhe më pastaj një i tretë. Duket se hakerat kanë arritur të sigurojnë deri tani më shumë se 100 mijë dollarë në monedha digjitale.