MENU
klinika

Presidenti i IOC

“Kundër Olimpiadës pa praninë e tifozëve”

16.07.2020 - 18:05

Disa evente sportive po mundohen të kthejnë gradualisht tifozët, duke nisur që nga futbolli. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, është kundër zhvillimit të Lojërave të ardhshme Olimpike pa praninë e spektatorëve.

Ka ende shumë paqartësi në lidhje me mënyrën se si do të zhvillohen Lojërat e ardhshme verore, duke patur parasysh që edhe tani shumë sporte kanë rifilluar aktivitetet, por me dyer të mbyllura, për të evituar në këtë mënyrë grumbullimet masive.

Numri 1 i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar lëshoi një mesazh të qartë në lidhje me të ardhmen e këtyre lojërave, por është e kuptueshme që një Olimpiadë pa praninë e spektatorëve nuk do të kishte të njëjtën vlerë, e natyrisht zhvillimi i Lojërave Olimpike në rrethana të tilla nuk do t’i interesonte askujt.

Bach theksoi se po këmbëngulet për të gjetur zgjidhje që nga njëra anë të ruhet shëndeti i të pranishmëve dhe sportistëve pjesëmarrës, ndërsa në krahun tjetër të përcillet në mënyrën më të mirë të mundshme edhe shpirti olimpik.

Sipas një sondazhi të kryer në kryeqytetin e Japonisë më shumë se 50% e popullsisë së Tokios është në favor të një shtyrje të mëtejshme të këtyre lojërave, apo qoftë edhe të anulimit përfundimtar të Olimpiadës së ardhshme.

Por 66-vjeçari gjerman përjashtoi një shtyrje të Olimpiadës. Ai shtoi se këshilli drejtues është optimist se lojërat e ardhshme olimpike do të mbahen rregullisht brenda afateve të parashikuara.