Në 30 vitet e fundit, pas ndryshimit të sistemit politik dhe kalimit në ekonominë e sipërmarrjes së lirë, krahas zhvillimeve pozitive dhe stabilitetit ekonomik të krijuar, në ekonominë shqiptare janë evidentuar edhe fenomene të informalitetit, të shmangies nga taksat dhe të punës së zezë. Të gjitha këto elemente kanë dëmtuar zhvillimin e një ekonomie konkurruese dhe me rregulla të qarta loje. Ndër vite janë bërë përpjekje për reduktimin e informalitetit dhe formalizimin e ekonomisë. Vendi ynë ndodhet në kushtet kur tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia globale e shkaktuar nga COVID-19 kanë dëmtuar ekonominë, sipërmarrjet, biznesin në tërësi dhe financat publike të shtetit.
Qeveria ka hartuar një p/ligj i cili është depozituar në Kuvend ku parashikon amnisti fiskale dhe penale për të ardhurat nga puna në të zezë, ku mijëra qytetarë që kanë punuar ose jo në emigracion mund të përfitojnë nga kjo amnisti për ligjërimin e pasurisë së tyre. Prandaj, u pa nevojshme që, për të tejkaluar këtë situatë dhe për të mbështetur sipërmarrjet në këto kushte të vështira, krahas stimujve fiskalë, që të krijohen mundësi edhe për legalizimin e kapitaleve dhe pasurive, të cilat, për shkaqe të ndryshme nuk janë deklaruar apo ligjësuar. Një masë e tillë do të lehtësojë frymëmarrjen e ekonomisë dhe të sipërmarrjeve, duke shtuar burimet financiare legale për financimin e veprimtarive ekonomike dhe rritjen e konsumit. Procedurat e amnistisë fiskale dhe penale, të njohura ndryshe si procedura të deklarimit vullnetar të pasurisë, janë praktika të njohura dhe të zbatuara në shumë vende të botës.
Sipas një raporti të OECD-së, nëse këto procedura hartohen me kujdes dhe bazuar në strategji afatgjata, mund të sjellin dobi në ekonomi. Ndërmarrja e një iniciative të tillë ka qenë kërkesë e hershme e sipërmarrjeve dhe e organizatave përfaqësuese të biznesit, të cilat dhe e përshëndetën nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale. Amnistia është hartuar në mënyrë të tillë që nuk lejon ligjësimin e kapitaleve apo të financave të subjekteve kri minale, atyre të ekspozuar ndaj kri mit dhe kri minalitetit apo subjekteve të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, kanë një ekspozim politik.
Në dispozitat e këtij ligji janë përcaktuar qartësisht kategoritë përfituese si dhe ato që përjashtohen nga amnistia fiskale dhe penale. Qeveria ka përjashtuar nga kjo amnisti subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurive të tyre, ato me burim nga aktivitete kr iminale si dhe subjektet që kanë ekspozim politik. Ndërsa po debatohet për mënyrën se si do bëhet e mundur parandalimi i legalizimit të pasurive apo të ardhurat nga krimi dhe korrupsioni, autoritetet zyrtare kanë parashikuar ngritjen e një Njësie të veçantë e cila do verifikojë burimin e kësaj pasurie. P/ligji i amnistisë fiskale dhe penale parashikon krijimin e Njësisë Speciale për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorisë së Përgjithshëm të Tatimeve. Kjo Njësi mundëson që brenda 48 orëve të verifikojë që personi i cili bën vetëdeklarimin është apo jo subjekt i kategorive të përjashtuara nga amnistia.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Njësisë Speciale, do të jenë mbledhja e informacioneve, përditësimi dhe përpunimi i të dhënave, sigurimi i ruajtjes së fshehtësisë dhe i konfidencialitetit të informacionit në lidhje me të dhënat. Partia Demokratike ka deklaruar se përfituesit nga amnistia nuk do të hetohen për mënyrën, sesi apo kur e kanë vendosur pasurinë e padeklaruar dhe se do të zhbëjë me efekt prapaveprues çdo dispozitë dhe përfitim nga ky ligj. Por ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka deklaruar se pastrimi i parave do të kontrollohet nga strukturat përkatëse. “Strukturat që punojnë sot për parandalimin e pastrimit të parave kanë siguruar ndër vite informacion dhe do të vijojnë të bëjnë punën e tyre edhe përtej amnistisë”, është shprehur Denaj.
Sipas saj, ka mjaftueshëm databazë për verifikimin e dyshimeve të qenësishme për parandalimin e pastrimit të parave. “Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të ngrihet një strukturë që brenda 48 orëve do të verifikojë që personi i cili bën vetëdeklarimin është apo jo subjekt i listave të përjashtuara”, shpjegoi Denaj.