Pikërisht atëherë kur nuk mendohej është ndalur Atalanta. Është mbyllur në barazim 1-1 ndeshja e vlefshme për javën e 34-t të Serisë A mes Verona-s dhe Atalanta-s. Një pikë që vlen pak për Atalantën, teksa kishte mundësi të ngushtonte në 4 pikë me Juventus.
Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim pa gol, Zapata ka zhbllokuar takimin në minutën e 50-të, i ndihmuar nga një gabim i mbrojtjes. Falë këtij goli, Atalanta është bërë një nga tre skuadrat në 5 kampionatet kryesore të Europës që ka dy lojtarë me të paktën 17 gola në këtë sezon (Muriel dhe Zapata), bashkë me Liverpool-in (Mane dhe Salah) dhe Manchester United (Rashford dhe Martial).
Festa e miqve nuk ka zgjatur shumë, duke parë se Pessina ka shënuar për veronezët dhe ka fiksuar shifrat në 1-1. Atalanta ka shpërdoruar një rast për t’u ngjitur në vendin e dytë dhe për të shkuar përkohësisht vetëm katër pikë larg Juventus-it kryesues, ndërsa Verona mbetet në vendin e nëntë me 45 pikë.