MENU
klinika

"Fundi i fundit si në gjithë Shqipërinë"

Korça dhe mania e kinemasë

19.07.2020 - 06:43

Korça qyteti më elitar i Shqipërisë sonë është dalluar në vite dhe për dashurinë ndaj kinemasë. Në fund të viteve 50-të dhe 60-të të shekullit të kaluar, në Korçë ka pasur 4 kinema. Ato ishin kinema “Morava” ose siç njihej ndryshe kinema Majestik, kino teatri Çajupi që shfrytëzohej për filma dhe për pjesë teatrale, kinema “Republika” dhe kinemaja verore.

Nuk mund ta kuptosh dot historinë e Korçës pa atë të kinemasë. Sigurisht për të gjithë ata që kaluan fëmijërinë e varfër të kohës së diktaturës në të gjitha qytetet shqiptare nuk mund të mos kujtosh një nga evenimentet më të rëndësishme të jetës që ishte vajtja në kinema dhe të parit e një shfaqjeje të bukur ku për dy orë njihej një histori jete, njihej bota dhe ajo ishte e vetmja dritare ku mund të vëreje se ç’bëhej në botën tjetër, atë të përtej mureve.

Për të gjithë ata që kishin jetuar atë periudhë nuk mund të harrohej ajo zbavitje e kulturuar ku njerëzit rendnin të gjithë drejt dyerve të kinemasë dhe nuk kishte bileta aq i madh ishte fluksi i njerëzve. Sigurisht nuk mund të harrohet që çdo herë ndonjë funksionar i lartë do të merrte fjalën dhe do ta kthente pak në mbledhje partie, por ajo që shfaqej më pas ishte e mahnitshme. Magjia e madhe e pelikulës.

Sipas kujtimeve të asaj kohe në qytetin e Korçës si gjithmonë do të ndodhte diçka e veçantë. Duke qenë se akoma mjetet e komunikimit nuk ishin aq të zhvilluara sa sot pas reklamave që shfaqeshin në kinema “Morava” do të dilte lajmësi. Dhe në Korçë ishte njëri. E quanin Pandi i mbiquajtur siç e ka zakon Korça, Këndeska. Pandi ishte një mesoburrë me flokë kaçurrela, zeshkan dhe me buzë të trasha si afrikan. Pandi ishte personi që dimër-verë me karrocën me dy rrota të kinemasë transportonte bobinat e filmave nga stacioni i autobusëve në kinema e anasjelltas. Ai ecte ngadalë anës bulevardit duke shtyrë karrocën, ku ishin kutitë metalike të shumëpritura.

“Ç’film ka ardhur?” -e pyesnin kalimtarët kuriozë dhe ai u thoshte titullin e filmit. Ai e ndiente se kishte një detyrë të rëndësishme, i rrethuar nga kureshtja e kalimtarëve. Por nuk i përgjigjej kujtdo. Sepse kishte dhe fëmijë që donin ta ngacmonin ndaj duhet të ishte vigjilent. Dhe nuk zgjaste shumë kur nga një krah dikush thërriste “Pandi një!” Ai ndalonte dhe kthente kokën nga ajo anë. Ende s’kish gjetur fajtorin kur nga ana tjetër një tjetër zë përgjigjej: “Pandi dy!” Edhe kjo e kishte një histori. Kur kish ardhur filmi çek “Një, dy, tre korona”, kalimtarët e pyesnin se ç’film kishte ardhur, ai, duke pasur vështirësi në të folur, kishte shqiptuar me mundim “një… dy… tre…”

Nuk ishte agresiv dhe shikonte punën e tij, por i binin më qafë. Atëherë ai u armatos me një brisk rroje që e mbante në xhep dhe e nxirrte herë pas here për t’u mbrojtur nga ngacmuesit. Kishte dhe fëmijë dashamirës që i thoshin kur nuk kishte karrocën me vete: “Pandi, bëj njëherë si Otello!” Pandi s’ua prishte qejfin. Me vetëdijen se i ngjante Otellos me tiparet e tij afrikane, zgurdullonte sytë dhe i vinte duart në pozicionin e mbytjes së Desdemonës.

Zonja e panjohur

Ishte normale për kohën që dalja e një filmi të ri të përbënte një ngjarje të madhe artistike. Njerëzit zinin rradhë të gjata për të gjetur bileta dhe bëhej nami. Kush i kujton ato kohë do sjellë ndër mend djemtë trima që hipnin mbi njëri-tjetrin dhe zënkat e grushtet që ndonjëherë shoqëronin marrjen e biletave.

Në kohën e diktaturës filmat vinin nga vendet e ish bllokut komunist, pra nga Evropa lindore: Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Çekia; por vinin edhe nga kontinente të tjera, nga Egjipti, Algjeria, India… Vinin nga Italia, Franca, Meksika…

Një nga filmat që bëri më shumë përshtypje në gjithë Shqipërinë po dhe në Korçë ishte filmi “Vakabondi”. Ishte e pamundur të gjeje bileta dhe lajtmotivi i filmit bëri trend në gjithë Shqipërinë. Një histori dashurie indiane që mori dhenë. Aq shumë sa njerëzit nuk kishin muhabet tjetër përveç atij filmi.

Ndoshta nga të rinjtë e sotëm nuk mund të kuptohet ajo modë që përfshinte gjithë njerëzit. Sepse sot është bota e teknologjisë. Po në kohën e atëhershme kinemaja ishte i vetmi mjet ku njerëzit mund të argëtoheshin.

Por dhe filmi egjiptian “Zonja e panjohur” bëri shumë përshtypje me historinë sentimentale të tij. Asokohe njerëzit ishin më të ndjeshëm dhe do shikoje njerëz që kur dilnin nga dera e kinemasë do kishin sy të përlotur dhe të çuditshëm.

Dhe ishte normale që të diskutohej shumë por mbi të gjitha që artistët e kinemasë të ishin dhe personazhet që ndikonin më shumë në mënyrën si visheshin, si shfaqeshin dhe si përfaqësoheshin.

Ato vite Korçën e kishte pushtuar mania e kinemasë. Debatohej edhe për detaje të imta të filmave, psh. në filmin “Ursus” kush ishte ai që u ndesh me demin, Stive Rives, apo një dublant i tij? Dhe e shihnin filmin përsëri e përsëri për atë moment deri sa u zgjidh: ai që ndeshej me demin ishte trupshkurtër dhe flokëkuq, nuk ngjante me Stive Rivesin, pra ishte një dublant.

Adoleshentët filluan të koleksiononin foto të artistëve të shquar, që qarkullonin dorë më dorën në klasat e gjimnazeve. Kishte raste që biletat e filmave mbaronin brenda 10 minutash dhe pastaj shiteshin nën dorë me dyfishin e çmimit. Në atë kohë u shfaqën edhe falsifikatorët e biletave të kinemasë. Ishte e mundimshme të kombinoje trupin e një bilete të grisur me kokën e një tjetre, duke i ngjitur në mënyrë të padukshme dhe duke shkruar shkronjat që mungonin.

Kinema “Morava” u bë shkolla më e madhe artistike e gjithë asaj plejade të madhe artistësh që me të vërtet bënë emër në Shqipëri me një karrierë të shkëlqyer si: Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Thimi Filipi, Dhimitër Orgocka, Vangjush Furxhi, Llazi Sërbo, Minella Borova, Jani Riza, Petrika Riza, Sotiraq Bratko, Perikë Gjezi etj. për të mos përmendur edhe dhjetëra artistë të tjerë në role të dyta apo episodike në filmat e ndryshëm.

Tani s’ka më mahnira të tilla. Njerëzit të magnetizuar nga teknologjia moderne nuk i ndjekin më filmat si më parë. Kinema “Majestik” u rikonstruktua para disa vitesh dhe filloi aktivitetin e tij. Por u dogj dhe nuk u ringjall dot. Gjithsesi ai vend ishte një faltore ku u ndërthurën ëndrrat e një brezi të tërë njerëzish. Ishte një epokë e mahnitshme. Një histori lavdie e dikurshme që nuk ngjallet dot më.

Fundi i fundit si në gjithë Shqipërinë.

(Të dhënat u morën në Korça news)

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët