MENU
klinika

Nga Astrit Patozi

“No news, good news” (Lajm i mirë, që nuk ka lajm)

20.07.2020 - 17:42

Sot m’u dukën të gjithë të fituar, ndonëse nuk pati asgjë të re nga fronti i Komitetit Politik, të përforcuar tashmë me pesha të rënda nga të dy palët.
Zoti Luli Basha u shfaq i qeshur nga Kosova, me shumë gjasa duke iu gëzuar faktit që e kishte detyruar Edi Ramën të pranonte pa bërë buzë autoritetin e fortë të Gaz Bardhit. Dhe kjo është një shenjë e qartë se fitorja e tij është e sigurt. Madje ajo shkon përtej, sepse është edhe një konfirmim i asaj historisë me lajmësa të Edi Ramës, që njëri të bëhej kryeministër dhe tjetri president, por që ai nuk e kishte pranuar.

I vetmi problem këtu duket se është Ilir Meta, i cili nuk figuron fare çfarë roli do të ketë në Shqipërinë e Re, por këtë çështje mbase do ta zgjidhë Komiteti i ardhshëm Politik, atë ditë që të mbarojnë zgjedhjet dhe Edi Rama të pranojë humbjen e padiskutueshme duke i dhënë dorën Gaz Bardhit.

Edhe zoti Edi Rama nuk tregonte të ishte i mërzitur pas takimit. Madje u duk sikur e kishte pranuar me qejf uljen e nivelit të përfaqësimit nga kundërshtarët, ndoshta edhe ngaqë e di se i ka ca probleme me do udhëheqës në Kosovë, të cilat mbase i zgjidh Luli si kryeministër në ardhje që është.

Tek e fundit, kur vjen fjala për shqiptarinë, të gjithë kanë treguar se hapin rrugë. Dhe ky rast nuk ka pse të jetë përjashtim nga rregulli. Ndërkohë, dukej hashiqare se ai ndjehej i gëzuar që e kishte shtyrë edhe një ditë tjetër drejt 30 korrikut, pa e ndryshuar aspak vendimin për hapjen e listave, por pa ua thënë fjalën e keqe atyre, që nuk e duan fare atë gjë.
Edhe Myslim Murrizi besoj se është ndjerë njësoj i lumtur si në ditën, kur hapja e listave u pranua për herë të parë si mundësi për t’u shqyrtuar nga Partia Socialiste. Edhe pse do të ketë vuajtur shumë, duke i përgjuar se mos i kap në flagrancë duke flirtuar gjatë mbledhjes, ngaqë mund të ketë marrë tmerr nga 17 maji e tre vjetëve më parë.

Por, për sa kohë që nuk ka parë gjë me sy dhe nuk ka prova për një mëkatim të fshehtë, nuk i takon të akuzojë njeri për një pazar tjetër. Nëse do të ketë, është ngjarje e sigurt se do të dalë i pari ta festojë Edi Rama dhe atëherë nuk do të ketë më në krah Gaz Bardhin, por vetë zotin Luli Basha. Dhe kjo mund t’ia kursejë sikletin e përgjimit zotit Murrizi.
Që do të thotë, me pak fjalë, se të gjithë sot, në mënyrën e vet, kanë hedhur pas edhe një ditë tjetër për t’iu afruar më shumë dhe pa ngjarje 30 korrikut.
No news, good news.