Qeveria e Shqipërisë ka marrë sot vendimin në Këshillin e Ministrave për të rritur pragun e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 2 milionë lekë në 10 milionë lekë.
Diçka e tillë ishte paralajmëruar nga ministrja e financave Anila Denaj e cila theksoi se deri në 2029, pra për 10 vite biznesi i vogël me fitime nën 10 milionë lekë në vit nuk paguan TVSH.
Ky vendim hyn në fuqi prej 1 janarit të 2021 dhe është i vlefshëm për 10 vite.
VENDIMI NGA QEVERIA
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Neni 10/1 shfuqizohet.
Neni 2
Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:
- Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.”.
- Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
Neni 3
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1.1.2021.