MENU
klinika

Përballja e tij me drejtësinë/ Akuza

Ç’do ndodhë me Luan Dacin? Avokati: Askush s’mund ta pezullojë nga detyra!

23.07.2020 - 13:08

Anëtari i Kolegjit të Posacëm të Apelit është paraqitur këtë mesditë në SPAK, ku do të pyetet në cilësinë e të pandehurit. Gjyqtari Daci akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe do duhet të japë llogari në SPAK.

Ligji parashikon që në momentin që një anëtar i KPA merret i pandehur është vetë ky institucion që mblidhet dhe vendos për pezullimin e tij nga detyra, derisa të zgjidhet çështja në themel. Tashmë do duhet të shohim qëndrimin e KPA, por ligji e parashikon që ky institucion duhet të mblidhet dhe të vendosë për fatin e gjyqtarit Luan Daci.

Pas përfundimit të seancës në SPAK ndaj gjyqtarit dhe anëtarit të KPA, Luan Daci, i cili është paraqitur sot zyrtarisht si i pandehur për falsifikim dokumentesh. Avokati i gjyqtarit, Jordan Daci, tha se nuk ndodhi asgjë e re në këtë seancë, pasi sipas tij, nuk ka vepër penale ndaj Luan Dacit.

Sa i takon faktit nëse KPA duhet ta pezullojë Dacin nga detyra, avokati Daci theksoi se as KPA dhe asnjë institucion tjetër nuk mund ta marrë një veprim të tillë, për sa kohë ka një veprim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit se nuk ka vepër penale.

“Nuk është se kishte ndonjë provë të re. I takon gjykatës të vendosë mbi debatin që ne kemi. I qëndrojmë të njëjtit pretendim, që nuk kemi të bëjmë me vepër penale. Fakti që cështja po shkon në gjykim tregon se SPAK e ka marrë parasysh, arsyetimi është i ndryshëm.

Ka një vendim të Gjykatës së Apelit që i ka paraprirë situatës për pezullimin e tij nga detyra. Është vendim i formës së prerë, i cili vërteton se s’ka vepër penale. KPA dhe askush tjetër nuk mund të dalë përtej këtij vendimi. Në këto kmushte, përderisa ka një ndalim për të proceduar përtej, sepse ka një vendim të formës së prerë që thotë se nuk ka vepër penale, absolutisht ata nuk mund të marrin atributet e Gjykatës Penale”, u shpreh avokati.