13 milionë është shifra e miratuar nga Këshilli i Ministrave për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Përmes një vendimi të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, Qeveria ka përcaktuar fondin prej 1.3 miliardë lekësh për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në bashkitë Kurbin, Shijak dhe Durrës.
Në mënyrë më të detajuar, Bashkisë Kurbin i transferohet fondi prej 830 milionë lekësh, afërisht 8 milionë dollarë. Prej tij, 4.7 milionë dollarë do përdoren për banesat që nuk kanë nevojë të rindërtohen nga e para, qoftë të dëmtuara rëndë apo lehtë. Për rikonstruksionin ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), do përdoret pjesa tjetër e fondit prej 3.6 milionë dollarësh.
Bashkisë Shijak i transferohet fondi prej 1.2 milionë dollarësh për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).
Ndërsa Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 3.9 milionë dollarësh për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për banesat që nuk duhen rindërtuar nga e para.