Premier League ishte e parafundit që mbylli sezonin nga kampionatet e mëdha dhe tashmë janë mësuar të gjitha verdiktet. Liverpool ishte shpallur kampion me kohë, ndërsa sot përmbysi dhe fitoi 1-3 në fushën e Newcastle.
Vend i dytë i siguruar prej kohësh, por Manchester City nuk fal sërish dhe përsëri shënon shumë gola. Qytetarët fitojnë në shtëpi 5-0 ndaj vendit të fundit Norwich dhe tashmë gjithë vëmendja është te Champions League në gusht.
Gara më e fortë ishte për vendin e tretë dhe të katërt. Chelsea mposht 2-0 Wolves, ndërsa dueli direkt Leicester-Manchester United përfundon 0-2, me një gola të Bruno Fernandes dhe Lingard.
Djajtë e Kuq në vendin e tretë dhe Chelsea në vendin e katërt, Leicester në vendin e pestë dhe do të luajë në Europa League sezonin e ardhshëm. Mëkat për Dhelprat, që për gjysmë sezoni qëndruan në vendin e dytë dhe të treë.
Tottenham siguron Europën vetëm në javën e fundit, madje me një barazim 1-1 në fushën e Crystal Palace. Kjo sepse rivalët direktë të Wolves humbën me Chelsea në Londër. Bien nga kategoria Bournemouth, Watford dhe Norwich.
Golashënuesi më i mirë i sezonit u shpall Jamie Vardy me 23 gola, një më shumë se Aubameyang i Arsenal dhe Ings i Southampton. Edhe Aubameyang, edhe Ings iu afruan shumë, pasi shënuan përkatësisht dopietë dhe një sot, por u mungoi rrjeta e fundit.