Pas ankimit të Partisë Demokratike, gjykata e Lezhës, ka vendosur të kthejë për hetim nga prokurorët çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pak javë më parë PD ngriti një padi, pasi prokuroria vendosi të mos e hetojë çështjen pavarësisht denoncimit.
Sekretaria e Partisë Demokratike, Alfrida Marku, tha ‘se vendimi i gjykatës urdhëron prokurorinë e Lezhës të hetojë çdo material dhe ankesë të bërë si dhe të marrë në pyetje anëtarët e KZAZ-së, numëruesit dhe çdo person tjetër që mund të dëshmojë’.
Më 18 korrik të 2019, PD duke dëgjuar edhe këshillën e ndërkombëtarëve, çoi në gjykatë çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, me pretendimin se ata ishin të manipuluara. Por pas disa muajsh, konkretisht në shkurt, PD i kërkoi llogari prokurorisë, që sipas saj kishte kyçur në sirtar çështjen dhe nuk po e hetonte.