Triumfi në finalen e Kupës së Francës është harruar shpejt në shtëpinë e PSG. Ylli i skuadrës, Kylian Mbappe do të humbasë ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Atalantës. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e kampionëve të Francës, e cila në njoftimin e saj zbulon se Mbappe ka pësuar një goditje që fatmirësisht nuk ka rezultuar fatale për talentin francez.
Koha e rikuperimit të tij vlerësohet me rreth 3 javë. Në varësi të ecurisë së riaftësimit, do të shihet mundësia e aktivizimit të francezit në ndeshjen gjysmëfinale, gjithmonë nëse PSG do të arrijë ta eliminojë Atalantën. Sulmuesi francez u dëmtua në kavilje në finalen e Kupës së Francës ndaj Saint Etienne, e për rrjedhojë nuk mund të jetë i pranishëm në sfidën e 12 gushtit ndaj bergamaskëve.
Mbappe nuk do të jetë mungesa e vetme e PSG në duelin ndaj italianëve. Në infermieri ndodhen edhe mbrojtësit Juan Bernat dhe Abdou Diallo, të cilët shtojnë hallet në kokën e Thomas Tuchel, që synon trofeun e Ligës së Kampionëve për të kompletuar pokerin e titujve këtë sezon në krye të PSG-së.