Tashmë nuk ka dyshime. Jurgen Klopp është trajneri i vitit në Angli. Liverpool-i i tij nuk u mjaftua me fitimin e Ligës së Kampionëve, Superkupës Europiane apo Kupës së Botës për klube, duke shtuar një tjetër titull të rëndësishëm në vitrinën e trofeve të saj.
Fitimi i titullit të Premier League që mungonte prej 30 vitesh në shtëpinë e Liverpool e kurorëzon gjermanin me çmimin më të lartë individual për menaxherë “Trajneri i vitit”.
Klopp fitoi shumicën e votave nga Shoqata e Menaxherëve që drejtojnë në Angli, për të bërë të vetin çmimin individuar të njohur si “Sir Alex Ferguson”, në nder të ish trajnerit të Manchester United.
“Është një nder që vlerësohem me një çmim që mban emrin e njeriut që unë adhuroj. Jam i kënaqur që jam pjesë e trajnerëve që fitojnë këtë titull, por pa punën e stafit dhe të lojtarëve nuk do të kishim arritur askund. Më pëlqen të punoj te Liverpool” – u shpreh Klopp.
Për të arritur te ky çmim prestigjoz, Klopp la pas emra të rëndësishëm në elitën e futbollit anglez, si Pep Guardiola apo Jose Mourinho. Ngjitja pas 16 vitesh në Premier League i jep Çmimin e trajnerit të vitit për Championship, teknikut të Leeds United, Marcelo Bielsa, ndërkohë që në futbollin e femrave, çmimi i menaxherit më të mirë shkoi për Emma Hayes të skuadrës së vajzave të Chelsea.