MENU
klinika

Historia e Maurizio Sarrit

Nga bankier me kollare, sot me tuta dhe kampion

28.07.2020 - 16:09

Ka shumë vese, është supersticioz, por këmbëngulës dhe tashmë edhe fitues. Maurizio Sarri, trajneri që sapo shpalli kampion Juventusin për herë të nëntë radhazi, hoqi dorë nga një punë shumë komode prej bankieri për t’u bërë trajner.

Hoqi kostumin dhe kravatën, për të veshur tutat sportive dhe për të mësuar futboll. Dhe, duke parë historinë e tij, pavarësisht një periudhe 30-vjeçare në trajnim, sakrifica e bërë u shpërblye. Trajneri i kampionëve të Italisë luajti futboll deri në moshën 31 vjeç, por vendosi që të hiqte dorë.

Ai ishte gati për të stërvitur, për të themeluar një filozofi të tijën të lojës. Përjetësisht i dashuruar me futbollin, por me një karakter të ashpër dhe shpesh thumbues, i denjë ndoshta për rolin e mbrojtësit të krahut që ai praktikonte në kategoritë e ulëta.

Ndërkohë që nisi të stërviste, punonte në një bankë, në të cilën bëri shumë shpejt karrierë, derisa me strategjitë e tij u rrit në rangjet drejtuese, aq sa institucioni ku punonte investoi tek ai duke e dërguar që të bëjë eksperiencë edhe në Luksemburg, Angli dhe Zvicër.

Por, edhe pse paga ishte e mjaft e majme, fakti që puna në zyrë nuk i lejonte shumë kohë që të studionte futboll dhe më tepër kohë për stërvitje, vendos të paraqesë dorëheqjen dhe t’u përkushtohet tashmë strategjive të tij të lojës.

Pasioni i tij për futbollin ishte më i madh sesa duhej, por pikërisht këmbëngulja e tij, nga rangjet amatoreske, bëri që një klub periferie si Sansovino të ngjitej në Serinë D. Pika e tij e fortë, vëmendja dhe kurimi i detajeve në skemat e goditjeve standarde, të cilat u bënë edhe kartolina e tij e prezantimit.

Pasi rezultatet bëheshin gjithmonë e më të mira, ai kalon te Sangiovanese, të cilën e ngjit menjëherë në Serinë C1 dhe më pas kërkesat për të bëhen të mëdha dhe eksperiencat shumë më pozitive në radhët e Pescara-s, Arezzo-s, Verona-s, Avellino-s e Perugia-s.

Më pas Groseto, Alesandria e Sorrento, derisa në 2012-ën e thërret Empoli në Serie B, pas 23 vitesh në fushat e provincës. Dhe rezultati ishte menjëherë magjik: menjëherë ngjitje në Serie A dhe një lojë spektakolare me lojtarë normalë në elitë që e bënë joshës për Napolin.

De Laurentis i vendos përpara një kontratë dhe pas 3 sezonesh që e bënë stilin e lojës së tij të përfundonte edhe si një sinonim në gjuhën italiane (sarrizmi sot në fjalor është sinonim i lojës së bukur dhe spektakolare), fatkeqësisht ai nuk arriti asnjëherë që të mposhtte kampionët e Juventusit.

Gjithsesi, shenjtërimi erdhi mes sezonit të lamtumirës nga Napoli dhe atij të zbarkimit në Torino, duke qenë se viti i parë dhe i vetëm te Chelsea në Angli u solli bluve të Londrës fitimin e Europa League, pikërisht atë “etiketë” që Juventusit i nevojitej për t’u bindur…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga thonjtë e paprerë, te hotelet

Asnjë si Sarri, trajneri më supersticioz në botë