Suedia pati një qasje krejt të ndryshme nga fqinjët e saj në mënyrën që ndoqi për të frenuar përhapjen e coronavirusit.
Strategjia e Suedisë ishte që të lejonte popullatën të vazhdonte jetën normale. Dyqanet dhe restorantet qëndruan të hapura, e kështu po edhe shumë institucione arsimore.
Me 5,700 viktima, shkalla e vdekshmërisë në Suedi nga virusi është rreth një të katërtat më e lartë se SHBA, nëse krahasohet në proporcion me numrin e popullsisë.
Megjithatë, autoritetet këmbëngulin se numri i vdekje ka rënë ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
“Kemi vërejtur një trend në ulje të numrit të pacientëve të shtruar në terapi intensive por edhe në rastet e vdekjes që nga mesi i prillit”, thotë Anna Mia Ekström, pedagoge e sëmundjeve infektive në Institutin Karolinska të Stokholmit.
Më herët gjatë muajit, numri i pacientëve me coronavirus në spitalet e kryeqytetit ishte nën 100 për herë të parë që nga marsi, sipas The Local.
Ekström thotë se gjatë pushimeve verore, qytetarët shpenzojnë më shumë kohë në ambiente të hapura duke ulur kështu riskun e përhapjes së virusit.
A është Suedia pranë imunitetit të tufës?
Kjo nuk dihet ende. Shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë nëse është realisht i arritshëm imuniteti i tufës nga coronavirusi, e nëse po, për sa kohë mund të zgjasë.
Ndërkohë, numri i personave që kanë formuar antitrupa kundër virusit është në rritje.
Të dhënat e publikuara agjencia e shëndetit publik të Suedisë për muajin qershor tregojnë se rreth 10 për qind e popullatës në Stokholm kanë zhvilluar antitrupa të COVID-19.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse Suedia është në rrugën e duhur për imunitetin e tufës krahasuar me vendet e tjera, thotë Instituti Karolinska.
“Ka shumë faktorë të panjohur për mënyrën sesi zhvillohen antitrupat dhe forma të tjera të reagimit të imunitetit pasi e kalon sëmundjen, por edhe sesa i madh duhet të jetë ekspozimi në mënyrë që të arrihet imuniteti i tufës”, shpjegon pedagogu i sëmundjeve infektive Jan Albert nga Instituti Karolinska
Deri më tani, qasja e Suedisë ndaj virusit ka tërhequr kritika nga e gjithë bota duke ndikuar dhe në popullaritetin e Kryeministrit Stefan Lofven, i cili deklaroi muajin e shkuar se do të kërkonte hetim për mënyrën sesi qeveria menaxhoi pandeminë.