Rritja e pagave, shtimi i vendeve të punës dhe nxitja e konsumit janë pikat themelore ku do të bazohet qeveria shqiptare për rimëkëmbur ekonominë në 3 vitet e ardhshme. Së fundmi në Fletoren Zyrtare është paraqitur plani afatmesëm mirkrofiskal i qeverisë për periudhën 2021-2023, ku tregohen taktikat që do përdor qeveria për rritjen ekonomike në vitet në vijim.
Konkretisht në raport thuhet për tre vitet e ardhshme parashikohet rritja e nivelit të pagës për të gjithë punonjësit e administratës, për të cilët është parashikuar një fond prej 15 miliardë lekësh, ku në do vit deri në 2023 do të shfrytëzohen nga 5 miliardë lekë. Sipas këtij dokumenti planet e qeverisë do të tkurrin edhe papunësinë në vend, duke fillua që nga viti ia ardhshëm në një nivel 10%, për të shkuar në 9,4% në 2022.
“Qeveria po planifikon rrisë pagat për administratën publike me një buxhet në total prej 15 miliardë lekësh apo rreth 121 milionë eurosh. Në kuadrin makroekonomik fiskal parashikohet një fond i veçantë për politika të reja pagash për vitet 2021-2023, ku për secilin vit do të shpenzohen 5 miliardë lekë. Rikuperimi pritet i fortë dhe papunësia pritet të bjerë sërish në 10.9% në vitin 2021 dhe 9.4% në vitin 2022”, thuhet në raport.
Sakaq, sipas parashikimeve të qeverisë në 3 vitet e ardhshme do të rritet rriten oferta dhe forcat për punë, në këtë mënyrë punësimi do të pësoj një rritje me 2,4 %. Sigurisht, ashtu sikur deri më tani, sektori i shërbimeve është ai që do të shfaq i pari rritje të këtyre zërave, duke pritur përmirësim që në muajt e parë të 2021.
“Në përputhje me parashikimet afatmesme të rritjes, punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 2.4% në vit gjatë viteve 2021–2023. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës. Ndërsa rritja e kërkesës për punë pritet të reflektojë pak a shumë të njëjtën strukturë të perspektivës së ofertës agregate të aktivitetit ekonomik. Rrjedhimisht pritet që shërbimet të kontribuojnë më shumë në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë. Pavarësisht zgjerimit të pritshëm të punësimit në afatin e mesëm, sërish produktiviteti i përgjithshëm i punës pritet të ketë një përmirësim të lehtë gjatë kësaj periudhe”, theksohet në dokument.
Strategjia për rimëkëmbjen pas pandemisë
Sipas të dhënave të raportit për periudhën afatmesme, rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Pasi progresimi i këtyre zërave do të nxis tregun e punës dhe do të rris besimin operatorëve për tregun. Sakaq në raport theksohet se në tre vitet në vijim qeveria do vazhdoj të mbështes financiarisht bizneset në nevojë rikuperimi, duke përmendur këtu lehtësirat për kreditim. E gjithë kjo që të gjithë bizneset, por me fokus më të madh në bizneset e vegjël, të përmirësohen financiarisht.
“Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave të cilat më tej do të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredimarrje më të lartë”, thuhet aty.
Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet nga përmirësimi i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar në periudhën afatmesme, pas kapërcimit të efektit negativ nga goditja e pandemisë. Ndërsa më tej sqarohet se rritja graduale e investimeve pritet të nxitet nga një shfrytëzim më i intensifikuar i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashikuar dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë. Specifikisht, konsumi final total për periudhën afatmesme (2021–2023) parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht rreth 3.8% në vit, duke kontribuar me mesatarisht rreth 3.4 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB-së-së. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma realë mbi nivelin 3.1% në vitet 2021–2023, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 0.7 pikë përqindje në vit.