Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëroi të hënën se, megjithë shpresat e forta, bota mund të mos ketë kurrë një “vaksinë perfekte” për koronavirusin dhe rruga drejtë normalitet do të jetë e gjatë.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe kreu i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan nxisin të gjitha kombet që të zbatojnë me rigorozitet masat shëndetësore siç janë përdorimi i maskës, distanca sociale, larja e duarve dhe testimi.
“Mesazhi për njerëzit dhe qeveritë është i qartë:” bëjini të gjitha”, tha Tedros, ndërsa shtoi se maskat duhet të bëhen një simbol i solidaritetit në të gjithë botën.
“Një numër vaksinash momentalisht ndodhen në fazën e 3 të studimeve klinike dhe të gjithë shpresojmë të kemi një numër vaksinash efektive që mund të ndihmojnë në parandalimin e infektimit. Sidoqoftë, nuk ka asnjë “vaksinë perfekte” për momentin, dhe nuk mund të ketë kurrë.
Tani për tani, ndalimi i përhapjes zbret në bazat e shëndetit publik dhe kontrollit të sëmundjeve. Testimi, izolimi dhe trajtimi i pacientëve, dhe gjurmimi e karantinimi i kontakteve të tyre. Bëjini të gjitha. Informoni, fuqizoni dhe dëgjoni komunitetet. Bëjini të gjitha“, theksoi ai.