MENU
klinika

Alfred Peza

Shkolla politike e Bashës, ose “tring zilja” në shtator!

04.08.2020 - 07:27

Nga Alfred Peza

Lulzim Basha është një ndër ato lloj liderësh politikë që nuk bën bilance dhe nuk ulet asnjëherë për të analizuar dështimet apo pse gjërat shkuan keq. Për rrjedhojë as nuk ka ndërmend që të kërkoje falje, se përse e ka lënë opozitën shqiptare për herë të parë pas 30 vjetësh, në rrugë jashtë çdo lloj pushteti. Me një fjalë është ndër ata udhëheqës politikë që Neli MakKlung i përkufizon: “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë”.

Lulzim Basha sillet në humbje, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Edhe kur humbi zgjedhjet e 2015. Edhe kur i humbi më 2017. Edhe këto 18 muajt e fundit. Sillet sikur të mos kishte shkuar nga dështimi i djegies së mandateve, tek dështimi në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Edhe tani që bëri një mbledhje online të Kryesisë e Këshillit Kombëtar, Basha sillet sikur nuk është në rrugë. Por flet sikur i zotëron të gjitha pushtet: “Kemi nisur një proces ku kemi identifikuar jo vetëm ata që do përzgjidhen kandidatë për deputetë, por edhe drejtues të qeverisjes vendorem këshillave bashkiakë dhe qeverisjes qëndrore!”

Përmes vendosjes së të vetëve përpara faktit të kryer dhe joshjes së mijëra prej tyre me ëndrrën e kandidatimit për deputet ose për tu bërë drejtues në pushtetin lokal, tejkalon me lehtësinë më të madhe çdo tentativë për ta kritikuar. Për ti kërkuar llogari për dështimet. Për tu ballafaquar se përse i ka lënë të gjithë opozitarët rrugëve. Lulzim Basha as nuk i pyeti demokratët kur doli nga sistemi demokratik i vendi dhe as kur u rikthye në tryezën e Këshillit Politik për reformën zgjedhore. Ndërkohë që po i bën të ëndërrojnë, sikur do i pyesi këtë radhë, për listat e zgjedhjeve të ardhëshme.

Liderët shqiptarë përmes steriotipit të sjelljes individuale dhe mënyrës së menaxhimit të partive, kanë krijuar, një fizionomi të vetën. Duke i dhënë qeverisjes dhe shtetit, tiparet e lidershipit të tyre. Duke u shndërruar kush më shumë e kush më pak, në një lloj shkolle politike për të tjerët. Një shkollë për tu ndjekur, apo për të mos u ndjekur, në varësi të bilanceve që ato kanë me garat ku marin pjesë, pushtetin që drejtojnë, apo edhe me historinë.

Sali Berisha me të mirat dhe gjithë të këqiat e tij, kurrë nuk bojkotoi ndonjë proces zgjedhor, sa ishte në krye të PD. Fatos Nano edhe pse u burgos politikisht e padrejtësisht, kurrë nuk e drejtoi PS drejt bojkotit të ndonjë procesi elektoral. Ilir Meta ka bërë edhe greva urie brenda në sallën e Parlamentit për kauza që sot i ka braktisur, por në asnjë rast sa ishte Kryetar i LSI, nuk i braktisi zgjedhjet. Ndërsa tani nga pozitat e Presidentit të Republikës, sapo u bë bashkë me Lulzim Bashën, nuk e kishte për gjë që të çdekretonte zgjedhjet lokale!

Kjo e bën Lulzim Bashën që të jetë një lloj tjetër lideri politik. Nuk po them më i keq, por sigurisht jo e jo, më i mirë sesa paraardhësit e tij. Thjeshtë po mundohem që të evidentoj, se ka aftësinë e rrallë të asnjë lideri tjetër shqiptar më parë, që ti iki përgjegjësive. Ti rrëshqasi llogaridhënies. Ti vendosi njerëzit e tij përpara fakteve të kryera. E të bëjë sikur po i udhëheq nga fitorja në fitore, ndërkohë që kalon me lehetësinë më të papërballueshme, nga humbja në humbje.

Megjithëse nuk i ka thënë njeri “puna e mbarë” si lider politik, deklaron pa iu dridhur qerpiku: “Muaji gusht do jetë muaj pune intensive. Krahas perzgjedhjes së kandidatëve do të finalizojmë programin qeverisës të vendit, do ngremë strukturat drejtuese të fushatës elektorale dhe organizojmë partinë për zgjedhje, duke nisur nga qendra e votimit e deri tek selia qendrore në Tiranë. Në shtator nisim fushatën elektorale, e cila do të mbyllet me fitorën e zgjedhjeve dhe hapjen e nje kapitulli te qeverisjës për qytetarët dhe me qytetarët”.

Megjithëse nuk është caktuar data e zgjedhjeve të reja të pranverës 2021. Megjithëse nuk është caktuar koalicioni parazgjedhor i PD dhe modalitetet e tjera në zbatim të formulës së re me një listë unike kandidatësh. Lulzim Basha e bën fakt të kryer që do ta nisi fushatën elektorale. Nuk është se “i hanë duart për punë”. E bën thjeshtë vetëm e vetëm që të vetët ti harrojnë të gjitha dështimet e javëve, mujave dhe viteve të fundit.

Gushti ka qenë gjithmonë simboli i pushimeve verore. Por Lulzim Basha ka vendosur të punojë. Ndërsa shtatori, ka qenë simboli i fillimit të vitit të ri shkollor. Por Lulzim Basha ka vendosur që të nxitojë për të kënduar “tring zilja” e zgjedhjeve. Është shkolla e tij politike. Një shkollë e re që të mëson sesi sa më shumë të humbasësh, aq më shumë ti bësh ata që udhëheq, të të besojnë se po fitojnë!