MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

“Diktatori i fundit” kundërshtoi Putinin dhe tani…

04.08.2020 - 10:14

Duhet guxim i pazakontë për të mposhtur Alexander Lukashenko në zgjedhje.

Në vitin 2010, për shembull, kur presidenti i Bjellorusisë po kërkonte një mandat të katërt, disa kundërshtarë të tij u arrestuan dhe u akuzuan për organizimin e kaosit në ditën e votimit.

Por nëse bashkëshorti juaj ka qenë në burg dhe familja juaj është kërcënuar, është shumë e vështirë të mos reagosh kundër burrit të përshkruar shpesh si “diktatori i fundit i Evropës”.

Kjo është sfida që 37 vjeçarja Svetlana Tikhanovskaya ka pranuar. Pa përvojë të mëparshme politike, Tikhanovskaya mori përsipër kandidaturën presidenciale të bashkëshortit të saj, Sergei, një bloger i njohur, në maj, pasi ai u përjashtua nga gara dhe u burgos. Deri më tani, ajo ka tronditur peisazhin politik të vendit.

Pasi siguroi fëmijët e saj duke i dërguar ata jashtë vendit,  Tikhanovskaya i ka shndërruar zgjedhjet në sfidën më të madhe për autokracinë e Lukashenkos që kur mori pushtetin në 1994.

Ajo ka një politikë kryesore: mbajtjen e zgjedhjeve të duhura, të lira dhe të ndershme brenda gjashtë muajve.

E mbështetur nga mbështetësit e dy kandidatëve të tjerë të ndaluar, ajo ka organizuar mitingje që kanë qenë ndër më të mëdhatë në Bjellorusi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Për zotin Lukashenko, kjo është një kthesë shqetësuese e ngjarjeve.

Shanset që Tikhanovskaya të dalë fitimtare janë pak a shumë zero, por radhët e masave të demonstruesve në Minsk, me dritat e telefonave celularë, të kujtojnë revolucionin Maidan kundër korrupsionit të Ukrainës.

Dobësia e re e një regjimi famëkeq izolues dhe autoritar ka shkaqe të shumta.

Lukashenko ka tronditur shumë prej qytetarëve të tij duke refuzuar të vendosë izolimin gjatë pandemisë së koronavirusit, duke këshilluar në vend të kësaj që pirja e vodkas dhe sauna largonin sëmundjen.

Ekonomia Bjelloruse kaqenë në rënie, për një dekadë të tërë.

Trazirat vijnë pasi marrëdhëniet e presidentit me Moskën janë përkeqësuar pas një refuzimi për të formuar një shtet të unifikuar me Rusinë.

Javën e kaluar, Lukashenko pretendoi se mercenarët rusë po dërgoheshin në Bjellorusi për të shkatërruar zgjedhjet e së dielës.

Trupave kundër rebelimit u është thënë se ata nuk duhet të lejojnë protesta në rrugë.

Për herë të parë në 26 vjet, Lukashenko nuk duket se është plotësisht në kontroll të ngjarjeve. Ndaj, pavarësisht rezultatit të së dielës, Tikhanovskaya tashmë ka fituar.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rusia po kërkon ta pushtojë?

Bjellorusia, Krimeja e ardhshme?