MENU
klinika

Prindër zgjohuni!

“Autizmi” virtual… realitet edhe tek ne

05.08.2020 - 07:34

Nga psikologe ALJONA JONUZI

Studimet e reja kanë zbuluar që fëmijët e vegjël që shpenzojnë shumë kohë para ekranit në TV, lojra kompjuterike, tableta dhe kompjutera, kanë simptoma të “autizmit”. Kur prindërit ua heqin ekranet për disa muaj, simptomat e fëmijës zhduken. Termi për këtë fenomen është “autizëm virtual” ose autizmi i shkaktuar nga ekranet elektronike.

Problemi po përhapet shumë vitet e fundit. Dëshmi janë rrëfimet e prindërve të fëmijëvë të moshës 0-5 vjeç të cilët kanë treguar  që fëmijët e tyre kanë kaluar 4-5 orë në ditë para një televizori, celulari ose pajisjeje elektronike. Një studim i kryer në Rumani ka treguar se 90% e fëmijëve që shpesh ka vonesë në të folur, apo çrregullime të spektrit të autizmit, ka ndërvepruar në forma të ndryshme me realitetin virtual, e thënë më thjeshtë ka qëndruar më shumë ore sesa duhet para një celulari, lojë apo Ipad.

Sipas studimit 5 orë në ditë qëndrim në botën virtuale mund të mos ketë efekte dëmtuese te të rriturit, por padyshim që ka efekte shkatërruese te fëmijët e vegjël ( sidomos nga 0-2 vjeç). Pasojat janë vonesa në zhvillim psikomotorik dhe në funksionet e të folurit, ose të  sjelljes, deri në autizëm. Kjo është konfirmuar në 90% të rasteve, përgjatë  terapisë  te psikologu nga prindërit më fëmijë nën 2 vjeç.

Është pothuajse e pamundur të dallosh “autizmin virtual  (të zhvilluar si rezultat i një efekti të pakontrollueshëm në psikikën e një fëmije nga teknologjia) nga ai klasik sepse simptomat janë ekzaktësisht të njejta. Fëmijët kanë mungesë ose vështirësi të socializimit,  kontaktit të vazhdueshëm me sy, fjalës, lojërave të roleve  si dhe dominimin e fjalëve, frazave, veprimeve dhe lojërave të përsëritura.

Si rregull, fëmijët mësojnë kuptimin e fjalëve nëpërmjet ndërveprimit social- duke luajtur me objekte të ndryshme- duke bashkëvepruar me njerëzit që u shpjegojnë atyre atë që shohin dhe si funskionon, për çfarë është ajo. Fëmija mëson për botën dhe sendet nëpërmjet  bashkëveprimin direkt me ta ose nëpërmjet ndjenjave. Mendja e një fëmije nuk mund të zhvillohet pa kontakt të njerëzve apo objekteve të tjera, pa kuptuar lidhjet midis tyre, njerëzve dhe veprimeve të tyre.

Drita dhe zhurma e krijuar nga ekranet tërheqin vëmendjen e fëmijës, por ato nuk e zhvillojnë normalisht trurin e tij. Ekrani duke qënë shumë i ndritshëm, arrin të marrë vëmendjen e fëmijës duke e larguar nga ambjenti përreth tij. Në këtë mënyrë mund të lindë varësia nga drita, zhurma, dhe imazhet e prodhuara nga pajisjet, gjë që e izolon fëmijën, duke e mbajtur atë nga bashkëveprimi me njerëz të tjerë absolutisht i nevojshëm për zhvillimin e aftësive të të folurit dhe komunikimit. Zhurma e tepërt, drita, shpejtësia e ndryshimit të kornizave) mund të shkaktojë ndjenja negative te fëmijët të cilat përkthehen në sjellje agresive ose të pakontrollueshme.

Rekomandohet që fëmijët në dy vitet e para të jetës të ecin më gjatë, të jenë jashtë në natyrë  dhe të komunikojnë sa më shumë që të jetë e mundur me të rriturit ose fëmijët më të mëdhenj që flasin dhe luajnë me ta.

Në vitin 2008 Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandoi që qasja në pajisjet multimediale për fëmijët e moshës 0 deri në 2 vjeç duhet të jetë plotësisht e kufizuar. Për fëmijët e moshave nga 3 deri në 6 vjeç, ndërveprimi me realitetin virtual duhet të kufizohet në një maksimum prej një ore në ditë, midis 6 dhe 12 vjeç, një fëmijë mund të kalojë jo më shumë së dy orë duke shikuar televizor ose duke luajtur lojëra në pajisjet elektronike.

Qëllimi i këtij shkrimi është të rrisë ndërgjegjësimin e të rriturve, sidomos prindërve të rinj për pasojat shumë serioze të përdorimit të pakontrolluar të pajisjeve multimediale, në psikikën e fëmijëve të moshës 0-2 vjeç.