Leo, Pashuku, Fotografi, Dulla, .. do të duhet një kohë e gjatë për t’u përmenduar mbi 1000 rolet e tij në skenë, mbi 1000 fytyrat e papërsëritshme të interpretuara prej tij në rreth 45 vjet jetë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku nisi jetën e tij artistike.
Fillimet.. “Në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit në 1945, në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e të dehurit, e cila bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi”, do të thoshte për të në një shkrim portret kritiku Miho Gjini. Për të vijuar më pas në komedinë “Pashuku” të F. Ndocajt 1946, në rolin e një shërbetori komik. Elegant, i shkathët, me një humor befasues, me ngjyra shkodrane e i gërshetuar me traditën, improvizues dhe ekspresiv, do të shfaqet Tano si prezantues i shfaqjeve të grupit amator te klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”. …dhe me pas.. Në rolin e marinarit në “Një tragjedi optimiste” të Vishnjevskit; në rolin e kapterit në komedinë “Prefekti” të B.Levonjes; në rolin e Llomovit te “Fejesa” e Çehovit; në rolin e Mazllumit te komedia “Hej moj babë” të J.Vojushit; në rolin e Leos te komedia “Këshilli i ndrikullave”, të Sh.Mitës. …në vazhdim të plotësimit të portretit Në vitin 1958 krijohet estrada profesioniste e qytetit të Shkodrës. Tano Banushi, aktor komik interpreton me qindra role nga të ndryshmet si brigadier, nëpunës, shef, bojaxhi, fotograf etj, të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paharuara në mendjet e artdashësve të humorit. Tano Banushi është një figure komplekse. Realist. Brenda nje shfaqjeje e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. Tanoja ishte një aktor shumëplanesh. Brilant. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, paradine, vodevilin, intermexon, etj. Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as klloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë. Nje kujtim nga aktori, Artisti i Merituar, Bep Shiroka, Tanoja ishte aktori zëmadh i humorit shkodran dhe atij shqiptar. Vazhdues i denjë i humoristëve shkodran Kolë Tivari, Osos se Falltores, Hilë Gegës etj. Ai shkelqeu në të gjitha zhanret e humorit. Aktor melodioz, i binte kitares. I vëmendshëm ndaj çdo roli per ta luajtur sa më mire. Vdiq në vitin 1993.
(Materiale të huazuara nga libri monografik i Isa Alibalit, “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, një punë 15-vjeçare që jetëson një talent dhe kërkon një mirënjohje )
I madhi Tano Banushi
– I shkruar nga Fadil Kraja, 7 shkurt 2007
Një ditë, kompozitori i shquar Prenk Jakova, (Nder i Kombit) takoi në rrugë aktorin Tano Banushi dhe i tha: – Tano, mbrëmë më kanë treguar një barsoletë. Po ta tregoj ty dhe të lutem ma trego pastaj mua që të qesh!
Ka ngelur proverbiale në Shkodër kjo thënie e sinqertë e Prenkës. Nuk është e lehtë t’i argëtosh njerëzit, t’u shpalosësh atyre gazin dhe buzëqeshjen. Kjo është një dhunti, një privilegj i artistëve të mëdhenj të humorit. Shkodra prej shekujsh është njohur si qytet i humorit, sepse ka nxjerrë dhjetëra e dhjetëra figura të shquara të këtij arti kaq human dhe kaq fisnik, këtij balsami për shpirtrat e trazuar. Një ndër ta, ndoshta më i shquari i të gjitha kohërave, është Tano Banushi, Artist i Popullit, Mjeshtër i Madh. Mund të themi pa droje, se historia e humorit dhe humoristëve shqiptarë në përgjithësi dhe të Shkodrës në veçanti, do të ishte e varfër pa emrin e Tano Banushit. Sepse galeria madhështore e interpretimeve të tij, e roleve të tij të pa fund në estradë dhe në teatër, është një visar i paçmuar, është një pasuri kombëtare. Vrojtues fenomenal i tipave dhe karaktereve njerëzore, ai i mëshironte ata dhe i paraqiste aq bukur dhe aq natyrshëm jo vetëm në skenë, por edhe në tubime familjare, mbrëmje dhe festa gazmore, duke u bërë strumbullar i tyre, “qershia mbi tortë” e tyre. Kjo e bëri popullor, të dashur dhe të lakmueshëm… Figura e tij, mimika, batutat e tij unikale dhe të papërsëritshme, hynë natyrshëm në çdo familje, siç hyn një gaz dhe një gëzim i sinqertë. Edhe sot e kësaj dite jetojnë anekdotat e tij dhe shprehja: Siç ka thënë Tano Banushi. Me atë fytyrën e tij topolake, me qafën paksa të mënjanuar, vështrimin e tij si të trembur, shtrembërimin origjinal të buzëve, zërin herë metalik herë të përvajshëm, i aftë për të imituar çdo dialekt dhe zhargon, Tano Banushi të mahniste në rolin e babaxhanit, naivit, gjysmë budallait që si një kalamit qas dhe bart shuplakat e të tjerëve, romuzet dhe kritikat, deri te dënimet. Por, ndërsa ata që i suleshin atij iknin shpejt nga kujtesa, roli i Tanos mbetej në kujtesë, sepse njerëz si ai ishin aq të shumtë për kohën, njerëz që kishin zgjedhur apo preferuar këtë rol në një shoqëri të ngurtë, meskine, të ashpër e plot paragjykime, deri në shtazore. Spektatori, këtë rol të preferuar të Tanos, të papërsëritshëm do të thosha, e donte sepse shihte në të një lloj oponence të përvuajtur, të stërholluar ndaj një klase politike ku bënte ligjin diktatura dhe injoranca e veshur me pushtet, dhuna e përligjur si “mjet edukues”. Në skenë, në ata mbi njëmijë role të tij në gjysmë shekulli si aktor profesionist, spektatori shihte te Tano Banushi shefin, drejtorin apo brigadierin e paaftë dhe gjysmë analfabet që e katranosnin punën aq sa viheshin edhe vet në siklet, dhe duke ngjallur qeshjen e të tjerëve, ngjallnin edhe ironinë, shpotinë… keqardhjen e heshtur për gjendjen ku jetonin. Dhe naivi, babaxhani, gjysmë budallai dhe gjysmë analfabeti Tano, me interpretimin e tij, sikur u thoshte njerëzve: – Qeshni, nëse nuk mund të qani! Dhe njerëzit qeshnin me pahir. Qeshnin dhe meditonin. Intelektuali dhe punëtori hamall, politikani dhe lypësi, gjykatësi dhe polici, i dehuri dhe i çmenduri, kapadaiu dhe frikacaku, gënjeshtari dhe servili, rrobaqepësi e bojaxhiu, fotografi dhe këpucari… fanatiku dhe liberali, babai rrezikzi dhe gjyshi finok… gjer dhe gruaja e pispillosur e llafazane… deri dhe fëmija i llastuar dhe me vese… Ja, kjo është galeria e roleve të Tanos. Tipat, karakteret njerëzore në fytyrën e tij me mimikë të jashtëzakonshme, në lëvizjet e trupit, në stërhollimin e zërit, belbëzimet, gafat, shikimin zhbirues… ishin qytetarët e Shkodrës, ishte koha që mishërohej dhe shpalosej nga ky aktor i madh. Sepse, siç shprehej ai vetë:
– I kam parë këta njerëz që fëmijë, kur hynin në mejhanen e babait tim… Aty hynte gjithë Shkodra dhe unë u shërbeja atyre… dhe i studioja… i ngulisja në mendje…
Estrada Profesioniste e Shkodrës, për dekada të tëra ishte ndër më të shquarat e vendit, sepse kishte në gjirin e saj aktorë të talentuar, si Hasan Smaja dhe Paulin Preka, Zyliha Miloti, Hajrije Kola, Jolanda Shala, Katerina Biga, Zef Deda, Gëzim Kruja, Mërgim Muhja, Gjosho Vasia, Muharrem Nurja, Drane Xhai, etj, por mbi të gjitha, ishte e tillë, sepse e kishte patriarkun e saj, të madhin Tano Banushi. Ai ishte i madh, sepse nuk shquhej vetëm ndër skeçe, por dhe në komedi brilante, bile dhe në tragjikomedi. Janë brilante dhe të pashlyeshme në kujtesë interpretimet e tij në komeditë “Këshilli i Ndrikullave”, Çështje familjare”, “Fundi i një komedie”, “Luani i shtëpisë”, “Dasma Shkodrane” etj.
Por jo vetëm kaq. Tano Banushi ishte edhe këngëtar i shquar, ishte edhe kitarist, ishte dhe kërcimtar e skenograf.
E jo vetëm kaq… Ai ishte edhe shkrimtar i shquar i humorit… Janë qindra skeçet e shkruara prej tij, komedi dhe parodi, kupleta dhe tekste këngësh… Shkruante për t’i interpretuar vetë, por edhe për shokët e tij, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë estradat e vendit.
E jo vetëm kaq… Tano Banushi ishte një koleksionist i rrallë. Një ndër numismatët më të shquar të vendit (janë qindra e mijra monedhat e ruajtura prej tij). Ishte ndoshta i vetmi koleksionist i një fushe të veçantë. Që nga dita e parë e çlirimit të vendit dhe për mbi tre dekada më pas… ai grumbulloi me pasionin e një sqimëtari, gjithë afishet artistike të qytetit, për çdo shfaqje apo koncert, disa prej tyre edhe me firmat e regjisorëve, aktorëve interpretues… Në këtë koleksion të rrallë është historia tridhjetëvjeçare e lëvizjes kulturore dhe artistike të një qyteti, siç ishte Shkodra artistike e atyre viteve.
Dhe jo vetëm kaq… Tano Banushi ishte edhe regjisor i talentuar, ishte edhe didakt dhe mësues i palodhur e dashamirës për një plejadë aktorësh të rinj, që u rritën dhe u bënë të njohur falë ndihmës dhe përvojës së tij.
Sepse, figura të tilla i kemi të pakta. Sepse figura të tilla nuk vdesin kurrë. Janë yje që nuk rreshtin të rrezatojnë dhe të frymëzojnë.