MENU
klinika

Financimi i borxhit publik

Bankat zgjeruan me 480 milionë euro investimet në tituj

11.08.2020 - 12:20

Bankat tregtare kanë rritur ndjeshëm investimet në letra me vlerë përgjatë 12 muajve të fundit. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i letrave me vlerë në fund të muajit qershor arriti vlerën e rreth 485 miliardë lekëve, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë. Vetëm në tremujorin e dytë të vitit, ky portofol është shtuar me rreth 480 milionë euro.

Kriza e Covid-19 solli një rritje të fortë të kërkesës për financim nga qeveria, me qëllim mbulimin e deficitit të shtuar buxhetor, që u shkaktuar sidomos nga rënia drastike e të ardhurave. Gjatë tremujorit të dytë, qeveria emetoi eurobondin prej 650 milionë eurosh, ndërsa rriti paralelisht stokun e borxhit të brendshëm me rreth 350 milionë euro. Bankat e kanë shfrytëzuar këtë koniunkturë, duke i kanalizuar fondet e lira te titujt e borxhit qeveritar. Përveçse ngelen financueset kryesore të borxhit të brendshëm, besohet se bankat shqiptare investuan masivisht edhe te eurobondi i emetuar në tregjet ndërkombëtare.

Këto zhvillime u reflektuan në një rritje të fortë të peshës së letrave me vlerë në bilancet e tyre. Në fund të qershorit, ato përbënin pothuajse 32% të aktiveve të sistemit bankar, nga 26% që përbënin një vit më parë.

Titujt e qeverisë janë një alternativë e volitshme, sepse sigurojnë kthime të kënaqshme për një periudhë kur normat e interesit ndodhen në minimumet historike. Megjithëse kredia po ndjek një tendencë pozitive që nga viti i kaluar, kriza e Covid-19 ka shtuar pasigurinë dhe është e pritshme të adoptojnë një qasje më të kujdesshme ndaj sektorit privat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga fëmijët tek ata që do kalojnë pushimet në vend

Italia, dekret të ri për ekonominë/ Si do ndahen 70 mld euro?