Ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviç tha se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga ndjekja e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krimet e supozuara ndaj popullatës serbe.
Duke folur për kërkesat që Serbia të tërheqë fletë-arrestet për ish-ushtarët e UÇK-së, në një intervistë për Novosti, Kuburoviq tha se diçka e tillë nuk mund të ndodhë pasi ato janë bazuar në dëshmi.
“Procedimi para gjykatave serbe është iniciuar duke u bazuar në prova materiale, kështu që nuk ka asnjë shpjegim ligjor dhe arsye për të hequr urdhër-arrestin për kriminelët”, tha ajo.
Ministrja serbe e Drejtësisë beson se shteti i saj ka ofruar prova të “pamohueshme” në Tribunalin e Hagës dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër, siç shprehet ajo, “kriminelëve të luftës”.
Pasi institucioneve të Republikës së Kosovë iu referua si “të përkohshme”, ajo foli edhe për nismën për Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, të cilën e quajti përpjekje të dëshpëruar për të shmangur të vërtetën për UÇK-në, e cila nga ministrja serbe u cilësua “organizatë terroriste”.
Javë më parë, Organizata e Veteranëve UÇK-së njoftoi se një ish-ushtar i saj u ndalua, e më pas lirua, gjatë qëndrimit në Shqipëri me flet-arrest nga Interpoli, bazuar në listën e dorëzuar nga Serbia.
Ndërsa, javën e kaluar ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, njoftoi për ndalimin, e më pas lirimin e një veterani të UÇK-së në Turqi, me flet-arrest të iniciuar nga Serbia.