Pas largimit të Ilir Dajës, klubi i Skënderbeut nuk ka vonuar shumë që të gjejë një trajner të ri për ta zëvendësuar atë. Në stolin e korçarëve do të jetë Julian Ahmataj, një trajner i mësuar të punojë me të rinjtë, por sidomos në situata emergjence.
Ahmataj drejtoi Kamzën e Luftëtarin në dy vite radhazi, duke arritur që t’u siguronte mbijetesën jashtë çdo parashikimi. Edhe pse eksperienca e tij me Tiranën zgjati pak javë, duke u larguar pa lënë shenjë nga bardheblutë, trajneri vlerësohet shumë në tregun shqiptar.
Skënderbeu nuk ka vonuar që të gjejë akordin për firmën me të. Tani pritet vetëm zyrtarzimi i tij nga klubi dhe nisja e punës me grupin e ri të lojtarëve, në një skuadër e cila nuk do të ketë në përbërje asnjë prej “veteranëve” me peshë të viteve të fundit.
Klubi korcar do të ndërtojë gjithçka nga e para, në pritje të vendimit nga Zvicra për kthimin në Europë, apo nëse do të jetë i detyruar të mbijetojë në elitë derisa të përmbushë dënimin e UEFA-s.