Skënderbeu ka bërë të ditur sot se Gjykata Federale në Zvicër, nuk ka pranuar apelimin e klubit korçar, duke lënë në fuqi vendimin e CAS në lidhje me dënimin me 10 vite përjashtim nga aktivitetet ndërkombëtare dhe 1 milion euo gjobë të klubit shqiptar për trukime.
Klubi bëri të ditur se rekursi ishte hedhur poshtë me votim 3-2, ndërsa po shqyrtohej mundësia që t’i drejtohej Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
NJOFTIMI I SKËNDERBEUT
“Sot, më datë 12 Gusht 2020, KF Skënderbeu-t ju bën me dije Vendimi i Gjykatës Federale Zvicerane në lidhje me rekursin e kryer ndaj Vendimit të CAS-it datë 12 Korrik 2019.
Pavarësisht argumenteve të pakundërshtueshme të paraqitura në proçes, trupa gjykuese e përbërë nga 5 anëtarë, përmes një vendimarrje me shumicë të thjeshtë votash, 3 vota pro dhe 2 kundra, vendosi rrëzimin e rekursit të kryer nga KF Skënderbeu, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të CAS-it.
Në momentin aktual, KF Skënderbeu po shqyrton të gjitha mundësitë për një ankim të mëtejshëm në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi në asnjë mënyrë nuk mund të konformizohet me një vendim i cili, në çmimin tonë, cënon rëndë parimet e të drejtës për një proçes të rregullt ligjor.
Për këtë, informacione të mëtejshme në lidhje me përmbajtjen e vendimit në fjale do të bëhen publike, pasi të jenë kryer të gjitha vlerësimet e rastit. Pavarësisht efekteve tejet të rënda që ky vendim ka, KF Skënderbeu do të vezhdojë rrugën e tij drejt arritjes sërish të sukseseve historike të mëparshme, të cilat ende sot shërbejnë si model e frymëzim për futbollin shqiptar. Puna vazhdon!”