Kreu i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, kandidaturën e Ramush Haradinajt për President e ka cilësuar si një ngjarje partiake.
Në një deklaratë për Klan Kosova, ai është shprehur se është e drejtë e AAK-së që të propozojë kandidat, por me LDK-në nuk kanë asnjë marrëveshje për këtë çështje.
“Është e drejtë e plotë e AAK-së. Është ngjarje partiake që e respektojmë. Nuk kemi marrëveshje për Presidentin”, ka qenë ky reagimi i shkurtër i kreut të grupit të LDK.
Një ditë më parë kreu i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh i gatshëm që të kandidonte për President.
Ai tha se ka zhvilluar një mbledhje brenda partisë dhe ishte propozuar që të ishte ai kandidati i mundshëm për postin më të lartë në vend.