MENU
klinika

Nga hoteli, te kthimi pas ndeshjes

Champions me protokoll strikt, ndikoi pandemia

13.08.2020 - 19:32

Nga 11 gushti, 8 skuadrat e kualifikuara në këtë edicion të Champions League zbarkuan në Lisbonë të Portugalisë, në një edicion të pazankontë dhe të shtyrë për të disatën herë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Shtatë ndeshje në harkun e 12 ditëve, klubet janë informuar për protokollin e veçantë. Rregulla strikte higjene për të gjithë dhe tamponë për të testuar, por fatmirësisht, deri më tani cdo gjë ka rezultuar mirë. Le të njihemi me protokollin…

AKOMODIMI – Siç ndodh në grumbullimet e kombëtareve gjatë Botërorit dhe Europianit, çdo skuadër do të qëndrojë në një hotel dhe qendër stërvitore të veçuar nga ato të ekipeve të tjera. Nuk lejohen vizitat normale në hotel.

Për të parandaluar përhapjen e mundshme të virusit, lojtarëve nuk u lejohet të dalin nga hoteli nëse nuk kanë miratimin e klubit. Kjo do të thotë se nuk ka biseda të shpenguara, vizita në dyqane apo shëtitje brenda hotelit.

Për klubet që do të qëndrojnë në Lisbonë për një kohë më të gjatë, si për shembull dy ekipet që do të luajnë në finalen e 23 gushtit, do lejohen ekskursione të shkurtra, por duke respektuar rregullat e distancimit social.

Brenda hotelit, lojtarët do të kenë dhomën e tyre personale, pa shokë dhome brenda dhe nuk lejohen vizitat mes tyre në dhoma për një bisedë vonë në darkë. Lojtarët, trajnerët dhe stafi do të hanë brenda hotelit, por ushqimet do t’i marrin vetë.

Ushqimi duhet të gjendet i vendosur në tavolinë që ata ta marrin vetë. Lojtarët nuk mund të lajnë enët pas ngrënies, kjo do të bëhet nga stafi i hotelit. Ndërsa larjen e rrobave e ka për detyrë stafi i skuadrës dhe jo i hotelit, apo nga vetë lojtarët.

TESTI “ANTI-COVID” – Skuadrat do të kryejnë disa teste përpara secilës ndeshje për t’u siguruar se nuk po e përhapin virusin në fushë. Çdo ekip bëri testin përpara fluturimit në Lisbonë dhe një tjetri iu nënshtrua sapo mbërritën në kryeqytetin portugez. Ata do të bëjnë edhe një test një ditë përpara ndeshjes dhe rezultati do t’i dorëzohet UEFA-s 6 orë përpara ndeshjes.

Përpara hyrjes në stadium do të bëhet matja e temperaturës. Nëse një lojtar testohet pozitiv, ai nuk mund të përfshihet në skuadrën që do të luajë dhe duhet të izolohet menjëherë. Skuadrat duhet të kenë të paktën 13 futbollistë të gatshëm për ndeshjen, përfshirë një portier, që ndeshja të luhet.

Nëse klubi nuk e plotëson këtë kërkesë, atëherë skuadra tjetër e fiton ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Nëse të dy ekipet nuk arrijnë të regjistrojnë 13 lojtarë secila, atëherë UEFA do ta shtyjë ndeshjen në një tjetër datë.

FRESKIMI – Ekipeve u është dhënë edhe një sasi suplementesh hidratimi nga UEFA në mënyrë që ata të mos përhapin virusin gjatë stërvitjes dhe ndeshjes. Secili klub ka në dispozicion 210 shishe uji për të konsumuar çdo ditë dhe 90 shishe me pijen energjike “Gatorade”, plus 50 kg akull. Në stadium, çdo klub duhet ta sigurojë vetë ushqimin përpara dhe pas ndeshjes dhe ai duhet të jetë konform rregullave të higjienës.

UDHËTIMI PARA NDESHJES – Skuadrat udhëtuan drejt Lisbonës përmes zonës VIP në aeroporte për të shmangur kontaktin me njerëzit e tjerë. Aeroplani u dezinfektua përpara dhe pasi lojtarët dhe trajnerët e përdorën atë dhe e njëjta gjë ndodh edhe me autobusin.

Distancimi social duhet të respektohet edhe në autobusë dhe avionë, çka do të thotë se klubet duhet të përdorin disa mjete transporti për skuadrën e tyre prej 20 vetash, plus trajnerët dhe delegatët e klubeve. Kur të dalin nga autobusi, do të përdorin derën e mesit dhe jo të parën, për të shmangur kontaktin me shoferin.

DHOMAT E ZHVESHJES – Skuadrat do të ndahen në dhomat e zhveshjes për të respektuar rregullat e distancimit social. Xhakuzit, saunat, banjat me akull dhe pishinat nuk do lejohen të përdoren pas ndeshjes për shkak të rregullave të higjenës. Lojtarët mund të bëjnë trajtimet e tyre të masazhit nga stafi i klubit, por krevatet dhe tavolinat duhet të dezinfektohen përpara dhe pas përdorimit.

NXEMJET – Futbollistët nuk mund thjesht të zgjedhin një anë në fushë dhe të kryejnë nxehmjen e tyre. UEFA ka lëshuar udhëzimet për zonat ku mund të bëhet stërvitja përpara ndeshjes dhe jo. Sprintet nuk do të lejohen të bëhen në sipërfaqen e fushës, por anash saj, ndërsa as zonat e penalltisë nuk do të përdoren gjatë nxemjes.

Kjo do të thotë se portierët thjesht nuk mund të stërviten në portë dhe duhet të shkojnë diku tjetër për t’u ambientuar me topin. Pas ndeshjes, lojtarët që nuk kanë luajtur, si për shembull rezervat, bëjnë zakonisht një nxemje për të ruajtur nivelin e tyre të fitnesit, por kjo nuk do bëhet më.

UEFA ka thënë se kjo bie ndesh me rregullat e distancimit social dhe lojtarët janë udhëzuar që të largohen nga stadiumi sa më shpejt që të jetë e mundur pasi ka përfunduar ndeshja.

RRESHTIMI – Kur skuadrat të dalin në fushë për të dëgjuar himnin e famshëm të Ligës së Kampioneve përpara ndeshjes, ka një rregull distancimi social që ata duhet ta kujtojnë. Lojtarët dhe arbitrat duhet të qëndrojnë në distancë një metër nga njëri-tjetri kur të rreshtohen përpara ndeshjes.

Ndërsa hedhja e monedhës mes kapitenëve dhe arbitrit vijon si normalisht, por duke respektuar rregullat e distancimit. Skuadrat mund të shkëmbejnë edhe flamurët nëse duan, por ndalohet shkëmbimi i fanellave pas ndeshjes.

TESTET ANTIDOPING – Pas ndeshjes, zyrtarët e UEFA-s zgjedhin një lojtar nga secila skuadër për të marrë pjesë në testet antidoping për të siguruar që ata nuk kanë marrë substanca të ndaluara.

Në kohë normale kjo ndodh në prani të një pjesëtari të stafit të UEFA-s, i cili ndjek procedurën e dorëzimit të mostrës së urinës në tualet pas ndeshjes. Për të ruajtur distancimin social, është vendosur një pasqyrë në tualet në mënyrë që UEFA të vëzhgojë se procedura e dorëzimit të mostrës së urinës po kryhet sipas rregullave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga 13:00 e së premtes, deri në 17:00 të së shtunës

Protokolli i një ndeshjeje në Premier League…