MENU
klinika

Plotësimi i kushteve të pensionit

Grupet që përfitojnë nga skema vullnetare!

14.08.2020 - 15:50

Nëpërmjet skemës së sigurimeve vullnetare mund të sigurohen jo vetëm kushtet e daljes në pension (vjetërsia kontributive e duhur), por edhe përfitime më të larta. Sipas kushteve të përcaktuara, pesë janë kategoritë që mund të plotësojnë kushtet e daljes në pension duke derdhur kontributet shoqërore vullnetare.

Kështu nga kjo skemë mund të përfitojnë personat që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk u ka lindur e drejta e përfitimit nëpërmjet skemës së detyruar të sigurimeve. Po ashtu, në skemën vullnetare mund të përfshihen edhe personat që për shkak të rrethanave të caktuara për një periudhë kohe nuk mund të jenë pjesë e skemës së detyrueshme të sigurimeve. Kontributet vullnetare mund t’i derdhin edhe personat që nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi. Ndërkohë që kjo skemë lejon të përfitojnë edhe personat e përfshirë në skemën e detyrueshme, por që kërkojnë të sigurojnë pensione më të larta kur të plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore. Ekspertët e sigurimeve sqarojnë se kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, sipas rastit mund të bëhet përfitues i pensionit të plotë të pleqërisë, pensionit të reduktuar të pleqërisë, pensionit të invaliditetit të plotë ose të pjesshëm, si dhe pensionit familjar. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe ka të njëjtin rregull me kontributin e detyrueshëm. Sigurimi vullnetar mund të bëhet për këto katër fusha: për vitin korent, për periudha të kaluara, për më shumë të ardhura, ose për degë të tjera të sigurimit.

Sigurimin vullnetar për vitin korent mund ta paguajnë të gjithë shtetasit që kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension, që nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm, që nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi, si dhe kur nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimeve shoqërore. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:

6 për qind mbi shumën për një pagesë vjetore, me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar. Zbritja mund të jetë 3 për qind mbi shumën për një pagesë 6-mujore, si dhe 1.5 për qind mbi shumën për një pagesë 3 mujore.

Sigurim vullnetar për periudhat e kaluara mund të bëjnë të gjithë shtetasit që kanë mbushur moshën madhore dhe nuk janë pjesë e skemës së sigurimeve të detyrueshme, meshkujt për periudhën e studimeve universitare, shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar, si dhe personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me Vendimtë Këshillit të Ministrave, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar). Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

Sigurim vullnetar për pensione më të larta mund të paguajnë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale të përcaktuara.

Ndërsa sigurim vullnetar për degë të tjera sigurimi, mund të bëjnë të vetëpunësuarit, për degë të tjera që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm. Ky sigurim bëhet nga të vetëpunësuarit vetëm për vitin korent.

Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që :

-Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.
-Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm.
-Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre.
-Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
-Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ahmetaj: Bëhej fjalë për pensionet...

”Pensionet nuk preken, por do rriten”