Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo ka njoftuar se kredia e butë prej 90 milionë euro me qeverinë italiane do të përdoret në vlerën e 25 milionë euro në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimin.
Ai ka informuar se kjo kredi do të përdoret për rindërtimin e portit të peshkimit të Vlorës, të Shëngjinit dhe Durrësit. Sipas tij, 25 milion euro që do të shkojë për portet e peshkimit përbën investimin më të madh në sektorin e peshkimit në 30 vjet.
“Kredia e butë prej 90 milionë euro me qeverinë italiane do të përdoret në vlerën e 25 milion euro në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit. Kjo kredi do të përdoret për rindërtimin e portit të peshkimit të Vlorës, të Shëngjinit dhe Durrësit. 25 milion euro per portet e peshkimit është investimi më i madh për peshkimin në 30 vjet. Porti i Vlorës do të ribëhet pothuajse nga e para dhe është në vazhdën e investimeve që po kryhen në këtë port si merkato e tregtimit me shumicë, ndërtimi i kantierit së shpejti dhe thellimi i tij me fondet e buxhetit të shtetit vitin e ardhshëm”, bëri të ditur Kristo.
Qeveria italiane akordoi një fond prej 95 milionë euro, nga të cilat 5 milionë euro grant, për rindërtimin e objekteve publike që dolën jashtë funksionit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Marrëveshja u nënshkrua 4 ditë më parë në Tiranë nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.