MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Ethet e gushtit dhe vjeshta e ankthit, 10 pyetje që kërkojnë përgjigje

17.08.2020 - 12:26

Jemi në një vit të vështirë, në një kohë kur diskutohet për jetën, varfërinë, papunësinë dhe përplasjet e forta politike. Pikëpyetjet e një vjeshte të trishtë që nisin nga pandemia e rrezikshme, pasiguria, rreziku i një kolapsi në shëndetësi, pa lënë pas problemet ekonomike. Çfarë e pret vendin tonë në të ardhmen e si do të ndikojnë edhe faktorët politikë ku për herë të parë çështja “integrim” del si pikë e fundit…

Nga Roland Qafoku

Ethet e gushtit janë luks përpara ankthit që pritet të kalojë Shqipëria në vjeshtë. Stina e tretë e vitit pritet të jetë më e vështira, jo vetëm e këtij viti, por e krahasuar me shumë e shumë vite që kemi kaluar. Që tani që jemi në muajin e fundit të verës janë disa pikëpyetje që na shoqërojnë lidhur me atë se ç’do të ndodhë në muajt shtator, tetor dhe nëntor. Për të mos folur më pas për dimrin e madh që na pret përpara. Realisht ato që priten të ndodhin në vjeshtë janë tejet të rëndësishme për jetët tona, sepse jo vetëm Shqipëria, por i gjithë planeti do të rrotullohet rreth virusit COVID-19. Të paktën janë10 pyetje që kërkojnë përgjigje.

A do të reduktohet, apo do të rritet pandemia?

Askush nuk e di të saktë, nëse kurba e pandemisë së koronavirusit do të rritet, apo do të ulet. Askush nuk e di, nëse do të ketë një valë të dytë apo jo. Është një situatë e paqartë në të gjithë botën dhe, sigurisht, që Shqipëria nuk mund të përjashtohet. Të gjitha deklaratat e ekspertëve të shëndetësisë në të gjithë rruzullin janë skeptike e, deri diku, edhe kondradiktore për atë që pritet. Por, nga ecuria e deritanishme, tendenca është që situata mund të vijë duke u përkeqësuar. Shqipëria duket se realisht po e kalon valën e dytë. Na vjen të qeshim kur mendonim se gjatë lockdown-it, 20 apo 30 të prekur në ditë quhej katastrofike, ndërsa aktualisht po qëndrojmë te rekordi 152 të prekur në ditë. Ndërkohë që mesatarja e të vdekurve vetëm një ditë të vetme prej ditësh është fiksuar te 4-5-6 persona, një shifër tejet e lartë për Shqipërinë. Nisur nga këto të dhëna, vjeshta do të jetë përcaktuese për tendencat e pandemisë në vendin tonë. Si do të jetë vjeshta, ashtu pritet të jetë ecuria e pandemisë edhe pas kësaj stine.

A rrezikon sistemi ynë shëndetësor të shkojë në kolaps?

Me shifra të frikshme për numrin e të prekurve që rritet për ditë, me numrin e të vdekurve në rritje gjithashtu, sistemi shëndetësor shqiptar është pranë kolapsit. Aktualisht kemi dy versione të situatës që jemi duke kaluar, të asaj të qeverisë, që deklaron se situata është në kontroll, pavarësisht rritjes së numrit. Disa ekspertë që nuk flasin publikisht shprehen se nuk është çudi që në vjeshtë Shqipëria të pësojë një dalje jashtë kontrollit të situatës. Mungesa e stafit mjekësor, mungesa e pajisjeve dhe medikamenteve të nevojshme, mungesa e një stradegjie efikase, mungesa e vetëdisiplinimit të shoqërisë, mungesa e higjienës personale dhe padurimi i shoqërisë janë faktorët kryesorë që mund të çojnë në një kolaps total të shëndetësisë. Të një situate që askush nuk do të dëshironte të ndodhte, por që është shumë e mundur të ndodhë. Kjo do të ishte katastrofë për vendin tonë dhe nuk do të ishte çudi që qeveria të dorëzohej, duke kërkuar ndihmë nga jashtë. Vjeshta pritet të jetë shumë përcaktuese.

A do të ketë sërish lockdown?

Nëse ritmet e rritjes së kurbës së pandemisë vijojnë me këto shifra si të ditëve të fundit, Shqipëria mund të kalojë në një plan B. Nuk është çudi që situata e nderë që mund të krijohet, mund të sjellë mbylljen e dytë të madhe. Të gjithë i kemi ende në memorie ato 70 ditë izolim total të Shqipërisë, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Por nëse situata do të agravohet lockdown-i mund të rikthehet përsëri si e vetmja masë për të frenuar përhapjen kaq të madhe të virusit COVID-19. Sigurisht, nëse kjo ndodh, pasojat do të jenë në sektorë të tjerë sidomos në ekonomi, por mund të jetë e vetmja alternativë. Dhe nuk është çudi që karantina e dytë të jetë shumë afër, sigurisht në vjeshtë.

A do të bëhet në Shqipëri vaksina kundër COVID-19?

Rusia u bë shteti i parë në botë që aplikoi vaksinën kundër COVID-19. E quajtur “Sputnik V”, ajo madje për herë të parë u bë në trupin e vajzës së presidentit Vladimir Putin. Dhe tashmë në botë ka nisur ajo që mund ta quajmë Lufta e Ftohë për vaksinën antiCovid. SHBA-ja, por edhe shumë vende të tjera të botës janë duke eksperimentuar vaksina të ndryshme, dhe kjo është kthyer në një garë më vete. Sipas ekspertëve, vaksina më premtuese dhe në fazë të avancuar në eksperimentim është ajo e zhvilluar nga bashkëpunimi midis Oksfordit dhe Advent-Irbm të Pomezia-s, por që, pasi të konfirmohet, duhet të kalojë gjashtë muaj përpara se të aplikohet. Po në Shqipëri, si do të veprohet? Është shumë herët që pyetjeje, por vjeshta do të jetë përcaktuese jo vetëm për vendin tone, por edhe për të gjithë botën. Besohet se gjatë tre muajve të ardhshëm bota do të ketë një vaksinë të certifikuar dhe pa efekte anësore, për aplokimin e së cilës do të jetë pjesë edhe vendi ynë. Por, sigurisht që për ne problemet janë të mëdha që nisin që nga sigurimi i saj dhe deri te fondet për blerjen e sasisë së nevojshme. Ndonëse nuk ka definicione në këtë drejtim, besohet se instancat janë duke punuar për ta realizuar këtë që mund të quhet operacioni më i rëndësishëm për jetën e qytetarëve të vet për shumë e shumë dekada.

A do të ndryshojë ekonomia?

Shqipëria është mes atyre vendeve ku pandemia ka sjellë pasojat më të mëdha. Kjo edhe për shkak se përpara pandemsië treguesit financiarë kanë qenë në nivele të ulëta. Ndërkohë që kufizimet e lëvizjes, mbyllja e shumë e shumë aktiviteteve, e deri te masat në shumë sektorë, kanë sjellë uljen me 6 për qind nën 0 të ekonomisë. Por ç’pritet të ndodhë me ekonominë shqiptare në vjeshtë? Pa dyshim që ekonomia është shtylla e parë e pasojave më të mëdha pas asaj të jetës nga koronavirusi. Parashikimet janë shumë të zymta dhe, nëse do të ketë rritje të numrit të të infektuarve, nëse do të ketë kolaps në sistemin shëndetësor, nëse do të ketë lockdown, Shqipëria pret të kalojë kolapsin më të madh që nga themelimi i shtetit shqiptar. Vjeshta pritet të jetë shumë përcaktuese.

A do të nisë mësimi në shkolla?

Pyetja më e rëndësishme pas situatës së pandemisë dhe ekonomisë lidhet me arsimin: A do të nisë sërish mësimi në të gjitha ciklet? Nëse po, kur do të nisë? Nëse do të nisë, a do të jetë ai online apo me frekuentim fizik, apo i alternuar, edhe online edhe fizik? Askush nuk di të thotë se ç’do të ndodhë. Përvoja në disa shtete ka treguar se në Gjermani dhe SHBA ka nisur mësimi në disa cikle të ulëta me masa shtrënguese të alternuara. Por duhet thënë se, pavarësisht kësaj situate në Shqipëri, që normalisht mësimi duhet të nisë më 16 shtator, nuk ka asnjë shenjë. Madje, i rëndë është fakti që nuk ka asnjë përgatitje në këtë drejtim. Kështu, sistemi arsimor shqiptar është i treti pas shëndetësisë dhe ekonomisë që mund të kalojë në kolaps. Dhjetëra shkolla private në mos kanë falimentuar, pritet të mbyllen dhe dhjetëra shkolla të tjera janë të zhytur në kaotizëm. Për të mos folur për rishtarët që futen në shkolla, apo për ata që duan të studiojnë jashtë. Vjeshta pritet të jetë përcaktuese edhe për këtë sektor.

A do të ketë trazira politike?

Nëse kemi një gjë që nuk na e kalon kush, është situata e tensionuar politike në çdo kohë, në çdo rrethanë dhe në çdo situate, të mirë apo të keqe që kalon vendi. Klasa politike shqiptare kurrë nuk ka pasur maturinë të ulë tensionet, edhe kur vendi është duke kaluar një ngjarje të paparashikueshme, si pandemia e koronavirusit. Ndonëse problem numër një i shqiptarëve është COVID-19 me pasojë jetën e qytetarëve, qeveria dhe opozita qëndrojnë ekstremisht larg njëra-tjetrës dhe e trajtojnë kundërshtarin politik si armik për jetë a vdekje. Edhe situata që po kalojmë nuk bën përjashtim. Nga njëra anë qeveria nuk po bën përpjekje për ta qetësuar situatën dhe, nga ana tjetër, opozita po bën thirrje që vjeshta do të jetë një stinë trazirash. Miratimi pa konsensusin e opozitës për koalicionet ka krijuar një gjendje tensioni politik që duhet të themi se në situatën që po kalojmë edhe këtë kishim mangut. Vjeshta do të jetë shumë përcaktuese, nëse vërtet do të jetë kështu, apo klasa politike do të dijë të ulë armët dhe të gjejë një konensus, në një situatë të rëndë që po kalon vendi. Pak gjasa ka të ndodhë qetësimi i situatës politike.

A do të përfundojnë riparimet e pasojave të tërmetit?

Pandemia ishte ngjarja e dytë e paparashikuar për shqiptarët në pak muaj. Më 26 nëntor 2019 ndodhi tërmeti shkatërrimtar që solli 52 viktima, por dhe shumë dëme materiale në shtëpi dhe biznese. Një ngjarje që cilësohet nga më të rëndat e dekadave të fundit. Shqipëria arriti të marrë donacione dhe kredi për riparimin e pasojave të tërmetit në shumën e 1 miliardë e 200 milionë eurove. Por pandemia e ka ndaluar ndjeshëm ritimin e ndërtimit dhe riparimeve. Vjeshta është stina përcaktuese, nëse këto dëme do të riparohen apo jo, në mënyrë që dimri t’i gjejë në banesa ata të cilëve ua shkatërroi shtëpitë tërmeti. Janë bërë shumë premtime në këtë drejtim, por ata që kanë nevojë, janë shumë skeptikë. A do ta kenë ata shtëpinë e tyre në vjeshtë? Pritja është i vetmi veprim që mund të bëjnë ata. Vjeshta do të jetë shumë përcaktuese.

A do të ulet kurba e krimit dhe a do të kemi stuhi në SPAK?

Krimi ka qenë dhe mbetet “aleat” edhe në situatat më vështira që kalon Shqipëria. Edhe pandemia tregoi se krimi jo vetëm nuk ulet, por ka pësuar rritje të frikshme. Sigurisht, nëse shifrat i krahason me një situatë normale, ato janë më të ulëta. Por do të ishte diletanteske nëse arsyetohej kështu. Me një lockdown prej 60 ditësh, me masa kufizuese për grumbullime, mbyllje të shumë aktiviteteve dhe përsëri në Shqipëri njerëzit vriten, kjo është një shenjë shumë e keqe. Edhe më optimistët kanë ngritur duart lart kur mësojnë se për ditë ka ngjarje të rënda. Sigurisht që kjo nuk lidhet me policinë, e cila targetohet pa të drejtë sa herë ndodh diçka. Duhet ta themi troç që në një vend që ekonomia është poshtë zeros, kur shumë sektorë rrezikojnë kolapsin, kriminaliteti është e vetmja sipërmarrje që mund të lulëzojë. Nga ana tjetër, veprimtaria e SPAK-ut pritet të ketë shpërthimin e saj pikërisht në muajt në vijim. Janë disa dosje që janë në hetim e sipër, për të cilat pritet të shoqërohen me vënien në punë të prangave në duart e personazheve të rëndësishme në politikë dhe të krimit të organizuar. Është një pritshmëri që, në fakt, po shkon deri në padurim, sepse SPAK-u mbetet shpresa e fundit se ky vend mund të bëhet, pikërisht duke goditur të korruptuarit dhe ata që kanë lidhje me krimin e organizuar. Të presim vjeshtën.

A do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat për në BE?

Dhe sikur të mos ishin të gjitha këto, Shqipëria është përpara një provimi politik shumë të rëndësishëm. Jemi përpara një vendimi që BE-ja do të marrë ndaj nesh, nëse do të hapen ose jo negociatat për anëtarësim. Në një situatë normale, kjo do të ishte pika e parë e rëndësishme për vjështën që kemi përpara. Por me gjithë këto probleme që po kalon vendi, hapja ose jo e negociatave mund të jetë e rëndësishme për qeverinë dhe politikën, por jo për shoqërinë. Njerëzit duan një jetë normale, ekonomi dhe menaxhim sa më të mirë të situatës. Kështu që hapja ose jo nga BE-ja e negociatave për shumë shqiptarë është kthyer në një gjë të parëndësishme. Pavarësisht kësaj, vjeshta do të jetë shumë përcaktuese edhe për faktin se hapja e negociatave pritet të shoqërohet me një numër jo të vogël projektesh që, sigurisht, do të jenë një ndihmë e madhe për ekonominë shqiptare.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!