Ajo quhet Nevena Shunjevariç: 30-vjeçarja nga Beogradi, zgjodhi Shqipërinë për pushimet verore. Gjatë sezonit të verës, Nevena vizitoi vendet më të bukura në Shqipëri dhe zbulon si e kaloi verën, në një vend për të cilin, siç thotë vetë ajo, në Serbi kurrë nuk ka dëgjuar ndonjë fjalë të bukur.
“Vendosa të shkoj me pushime në Shqipëri, nga kurioziteti dhe në mënyrë që të zbuloja destinacione të reja, ende jo të pëlqyeshme dhe të arritshme për ne.
Në internet, kryesisht në faqet e huaja, mësova për ofertat dhe turizmin. Bregdeti shqiptar më dukej shumë i pastër nga fotot, kurrë nuk dyshoja nëse do të shkoja, edhe pas komenteve negative dhe skeptike nga mjedisi, që në fakt, më dhanë adrenalinë dhe motivimim më shumë, për të shkuar në Shqipëri”, – rrëfen ajo, për gazetën serbe “Blic”.
“Në udhëtimin tim të parë për në Shqipëri, isha në tre vende të ndryshme: Vlorë, Borsh dhe Sarandë, sepse në 10 ditët që kalova atje, kam dashur të shoh dhe të përjetoj sa më shumë.
Vlora është një qytet turistik shumë i zhvilluar, me një shëtitore të mrekullueshme përgjatë detit, me shumë restorante me peshk deti të freskët dhe çmime mëse të përballueshme.
Borshi është një fshat i bukur, i këndshëm e pa turma njerëzish – më i bukuri, nga tri vendet që vizitova”, – shprehet ajo.
Nevena tregon edhe si ishte mikpritja nga pushuesit shqiptarë, teksa shprehet se të gjithë e kanë pyetur për situatën në Serbi.
“Nuk ka shumë turistë nga Serbia në Shqipëri, ndaj vendasit janë entuziastë dhe shumë të sjellshëm me ne. Të moshuarit na kuptojnë dhe mund të komunikoja me ta. Ata, kryesisht pyesin për situatën në Serbi dhe standardin tonë, si dhe nëse është hera e parë që vizitoj vendin e tyre. Nuk kam dëgjuar absolutisht asnjë koment negativ dhe as nuk kam pasur përvoja negative”, – u shpreh ajo.
Ajo thekson, se, sapo situata pandemike të shënojë përmirësim, do të kthehet sërish në Shqipëri.
“Çmimet janë mëse të favorshme për standardin tonë, shumë herë më të favorshme sesa në Kroacinë fqinje. E vetmja gjë negative që duhet të them, është prania e madhe e maceve dhe qenve endacakë në plazhe. Kjo është e vetmja gjë që mund të veçoja si negative, por përgjithësisht, është bukur të kalosh verën atje. Do ta vizitoj përsëri Shqipërinë, kjo është e sigurt, sa më shpejt që të ma mundësojë situata”, – përfundon turtistja nga Serbia fqinje.