MENU
klinika

Shkaku?

Greqia dhe Turqia rrezikojnë të humbasin turistët

18.08.2020 - 18:57

Kroacia, Greqia dhe Turqia rrezikojnë të humbasin edhe ato pak që shpëtuan nga sezoni turistik, teksa numri i shtuar i rasteve me COVID-19 kërcënon të mbajë pushuesit larg.

Raportet në Mbretërinë e Bashkuar thonë se të tri vendet mund t’i shtohen listës së karantinës së detyruar në Mbretërinë e Bashkuar, që do të thotë se pushuesit britanikë që kthehen nga destinacionet e njohura turistike do të duhet të kryejnë karantinën, një masë që i shtyn shumë njerëz që t’i shmangin këto udhëtime.

Të hënën, ministri slloven i shëndetësisë, Tomaz Gantar u kërkoi sllovenëve që pushonin në Kroacinë fqinje që të ktheheshin, pasi ekspertët shëndetësorë kërkuan që ata që vijnë nga Kroacia të hyjnë në karantinë për dy javë.

“Klubet e natës në Kroaci duket se janë burimi më i madh i rasteve të importuara të infeksioneve me COVID-19 në Slloveni”, u raportua të ketë thënë zëdhënësi i qeverisë, Jelko Kacin.

Kroacia, ku turizmi vitin e kaluar përbënte afërsisht 20 për qind të PBB-së regjistroi 162 të infektuar të rinj në 24 orët e fundit.

Shkalla e infeksionit të vendit aktualisht është 29.3 për 100,000 banorë, shumë më e lartë se niveli 20 i konsideruar si kritik dhe pika e referencës për vendet europiane kur ato marrin në konsideratë vendosjen e kufizimeve në udhëtime.

Shkalla në Greqi, ku turizmi solli 18 miliardë euro të ardhura në vitin 2019, tani është 21.2 për 100,000 banorë, një rritje e madhe nga gjashtë për 100,000 që ishte muajin e kaluar.

Qeveria greke ka vendosur orare shtetrrethimi në Mikonos dhe disa ishuj të tjerë në Detin Egje, duke urdhëruar që restorantet, kafenetë dhe klubet e natës të mbyllen në mesnatë.

Rastet po shtohen edhe në Turqi, me 1,233 raste të reja të regjistruara dhe 22 vdekje në 24 orët e fundit.

Shkalla e infeksionit e Turqisë është pak nën pragun prej 20/100,000 banorë, por situata konsiderohet më e keqe në zonat bregdetare dhe rajone të tjera të njohura me turistë, që vitin e kaluar sollën 30 miliardë euro të ardhura për ekonominë turke.

Dy javë më parë, Berlini renditi katër qytete bregdetare turke si destinacione të sigurta, por të dielën ndaloi hyrjen në Gjermani për shtetasit turq.

Sfidat që janë përballur dhe si ka përfituar ekonomia

Potenciali i rikthimit të emigrantëve, por a është gati Shqipëria?

“Do të rishihet mosha e daljes në pension”

Rama: Kur dhe sa do të rritet bonusi i fundvitit për të moshuarit

Autoriteti i Konkurrencës vendos nën monitorim tregun

Çfarë po ndodh me çmimin e bukës?

Tarifa marramendëse tregtie dhe “shumëfishimi” i Brexit

Evropa përgatitet për një epokë të re pas 5 nëntorit