150 dollarë për dy doza! Kaq do të kushtojë vaksina e parë kineze kundër COVID-19, që do të jetë gati për fushatën e vaksinimit në Dhjetor.
Kjo vaksinë është krijuar nga laboratorët e firmës farmaceutike kineze “CanSino”.
Të hënën, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Pekin i dhanë licencën për nisjen e prodhimit.
Vaksina do të hyjë shumë shpejt në fazën e tretë të testimit tek njerëzit që përcakton edhe kohëzgjatjen e reagimit mbrojtjes që ajo nxit tek sistemi imunitar.
Provat klinike të fazës së tretë, krahas Kinës do të zhvillohen edhe në Brazil, Meksikë, Kili, Rusi e Arabi Saudite.
Ekspertët e firmës “CanSino” thonë se për krijimin e vaksinës së tyre kanë përdorur gjene të dobësuara të viruseve që godasin trupin e njeriut gjatë ftohjeve të zakonshme. Injektimi i tyre përmes vaksinës synon të nxisë prodhimin e anti-trupave të mjaftueshme për të neutralizuar proteinat mbështjellëse të COVID-19.
E njëjta metodologji po përdoret për zhvillimin e vaksinave edhe në Britaninë e Madhe e Rusi, ku disa firma farmaceutike janë në faza të përparuara të testeve tek njerëzit.
Deri më tani, Rusia pretendon se ka licensuar një vaksinë kundër COVID-19 që konsiderohet edhe si e para në botë, por që në perëndim janë skeptikë për efektshmërinë e saj, duke hedhur dyshime se nuk i ka kaluar të gjitha fazat e testimit.