Autoritetet greke janë vënë në alarm, pasi sipas informacioneve të shërbimeve epidemiologjike greke, emigrantët shqiptarë dhe shtetasit grekë që kalojnë në pikat kufitare drejt Greqisë janë të pajisur me test stereologjik dhe jo PCR, siç kërkohet prej autoriteteve që prej datës 17 gusht.
Burime konfidenciale nga Ministria greke e Shëndetësisë thanë se kjo ministri kishte paralajmëruar që prej disa ditësh, pikërisht dyshimet se testet nga Shqipëria nuk do të jenë të sakta, madje mund edhe të falsifikohen, ndaj gjatë një mbledhjeje urgjente paraditen e së mërkurës u vendos që në pikat hyrëse nga Shqipëria të mos pranohet asnjë test, që nuk do të jetë PCR dhe nuk do të jetë i pajisur me bar code dhe kodin QR.
Gjithashtu u vendos që edhe për 10 ditët e ardhshme të mbeten ende në kufi, ekipet e epidimiologëve, të cilët do të marrin tamponë konfirmues prej udhëtarëve në kufi. Burimet sqaruan se pavarësisht nëse është ose jo i certifikuar laboratori, pa bar code dhe kodim QR, asnjë udhëtar s’mund të kalojë në Greqi.
Po kjo ministri sqaron se në rastet që do të vërehet se fleta e testit do të jetë e falsifikuar, personat do t’i dërgohen gjykatës nën akuza të renda, siç është falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe shkelje të rregullave mbrojtëse nga Covid,të cilat dënohen me burg dhe gjobë të rëndë. Një ditë më parë, autoritetet greke deklaruan se që nga fillimi i pandemisë së Covid-19 janë 63 shtetas shqiptarë të konstatuar se janë infektuar me Covid, ndërsa më shumë se 2.5 milionë udhëtarë që kanë hyrë në vend nga pikat tokësore, detare dhe aeroportet e vendit.